Gjirokastër, 18 qershor 2014 – Mbrëmjen e djeshme u vetëdorëzua në polici i shumëkërkuari Gate Mahmutaj. 46-vjeçari nga Lazarati, i akuzuar si kreu i bandës së trafikantëve që prej disa ditësh ka nisur sulmin me armë ndaj policisë, ka mohuar akuzat duke deklaruar se nuk ka lidhje me sulmin. Por burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se deklaratat e Gate Mahmutaj janë kontradiktore.

“Po ruaja bagëtinë, nuk kam lidhje me sulmin. U vetëdorëzova për të sqaruar pozicionin tim. Objektin që ju pretendoni, e kam përdorur për lopët. Nuk jam fshehur prita të qetësohej gjendja dhe të dorëzohesha”- deklaroi Mahmutaj përpara prokurorëve. 

Ndërkohë të enjten pritet të jepet masa e sigurisë për Mahmutajn në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. 

Gate Mahmutaj është dënuar me 22 vite burg në vitin 2001 për plagosjen e një efektivi policie, por u la i lirë në vitin 2006 me anë të një vendimi faljeje të presidentit të asaj kohe, Alfred Moisiu. 

Përveç Gate Mahmutaj, dy ditët e fundit uniformat blu kanë vënë në pranga edhe 6 persona të tjerë, të dyshuar për sulmin me armë ndaj policisë në datat 15 dhe 16 qershor në Lazarat.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/