Prezenca e një lënde toksike në akulloret e prodhuara nga kompani të mëdha si Snickers, Smarties, M&M’s, Lion, apo Nestlé ka bërë që Autoritetet e Kontrollit Ushqimor në Francë, Belgjikë, Serbi e Qipro t’i ndalojnë këto produkte, të cilat tregtohen edhe në vendin tonë.
Nga analizat rezulton se disa seri të produkteve të akulloreve Bounty, Snickers, Mars dhe Twix, janë të kontaminuara me një lëndë kancerogjene, oksid i etilenit, dhe janë ndaluar të tregtohen. Oksidi i etilenit, sipas ekspertëve ka aftësinë të dëmtojë ADN-në dhe të shkaktojë kancer.
Të kontaktuar nga News24, specialistë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit bënë të ditur se ky institucion është sinjalizuar nga institucione ndërkombëtare nëpërmjet sistemit RASFF për këtë problem. Sipas AKU, bëhet fjalë për akulloret Bounty, Snickers, Mars dhe Twix, por jo për të gjithë sasinë, vetëm për 4 lote.
AKU bën të ditur se u ka kërkuar distributorëve që të marrin masa urgjente për tërheqjen e akulloreve nga tregu. Subjekteve importuese u është lënë detyrë të njoftojnë pikat ku kanë shpërndarë këto akullore që të bëjnë kthimin dhe më pas të procedohet me asgjësimin e produktit.
Të vetmit që nuk janë informuar për këtë rrezik janë konsumatorët, të cilët nuk kanë asnjë dijeni për përbërjen e akulloreve, që gjatë sezonit të verës shiten gjerësisht në rrjetet e marketeve, dyqanet e lagjeve, ndërsa e gjithë zona e bregdetit është e tejmbushur.