Binjakët e porsalindur u vranë të martën nga një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës derisa babai i tyre ndodhej në qendrën komunale për t’i regjistruar ata.
Asser, djalë, dhe Ayssel, vajzë, ishin vetëm katërditor kur babai i tyre Mohammed Abu al-Qumsan, shkoi për t’i marrë certifikatat e lindjes së tyre.
Derisa ai nuk ndodhej aty, fqinjët i telefonuan për t’i treguar se shtëpia e tij në Deir al Balah ishte bombarduar.
Në sulm u vranë edhe bashkëshortja e tij dhe gjyshja e binjakëve.
“Nuk e di çfarë ndodhi. Më thanë se ishte një predhë që goditi shtëpinë”, tha ai.
“Nuk pata kohë as t’i gëzohem lindjes së tyre”, shtoi ai.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se 115 foshnje të porsalindura janë vrarë në këtë vend prej se nisi lufta.
Ushtria izraelite thotë se përpiqet ta shmangë dëmtimin e civilëve palestinezë dhe për vdekjen e tyre e fajëson Hamasin – grupin e shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – duke thënë se militantët e tij veprojnë në zonat e banimit, nganjëherë duke u strehuar në mesin e civilëve dhe duke kryer sulme nga shtëpi, shkolla, xhami dhe ndërtesa të tjera civile.
Megjithatë, ushtria rrallëherë komenton për sulmet individuale, si pasojë e të cilave vriten shpesh fëmijë dhe gra.
Izraeli thotë se synimi i tij është ta shkatërrojë Hamasin, pas sulmit të 7 tetorit, në të cilin militantët nga Gaza u futën vrullshëm në jug të Izraelit dhe i vranë 1.200 njerëz, si dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë.
Pas një rundi këmbimesh në nëntor, Izraeli thotë se edhe 111 pengje po mbahen në Gazë, përfshirë trupat e pajetë të 39 pengjeve.
Lufta e Izraelit në Gazë prej atëherë i ka lënë të vdekur rreth 40.000 palestinezë dhe më shumë se 91.700 të tjerë të plagosur, sipas zyrtarëve shëndetësorë në enklavë.
Më shumë se 1.9 milion e popullsisë së përgjithshme prej 2.3 milionë banorësh e Gazës së paraluftës janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre, duke u zhvendosur vazhdimisht nëpër territorin e vogël për t’i ikur luftës./REL