· Ekipi i ministrisë së Arsimit dhe Sportit dha masën e pushimit nga puna për ish-drejtorin Filip Gjonçi, Anesti Shukën dhe Alma Rakipin, por Shuka, edhe pse u penalizua, mbeti përsëri në atë vend
DURRËS, 1 prill 2014 – Kreu i Drejtorisë Arsimore Rajonale (DAR) Linditë Mukaj “ia ka lënë çdo gjë në dorë Anesti Shukës, personi më i korruptuar sot për sot në këtë drejtori”, shkruan në numrin e vet të 1 prillit 2014 periodikja vendore e Durrësit “Bulevard”.
Sipas po kësaj medieje, ekipi i ministrisë së Arsimit dhe Sportit “dha masën e pushimit nga puna për ish-drejtorin Filip Gjonçi, Anesti Shukën dhe Alma Rakipin”, por “Shuka, edhe pse u penalizua, mbeti përsëri në atë vend. Ai ka mbi 18 vite në të njëjtin institucion pa lëvizur. Anesti Shuka ka shërbyer kurdoherë si vegël nga drejtorët e arsimit të cilët e kanë përdorë për të bërë abuzime të rënda, falsifikime dhe shkelje të hapura të ligjeve, udhëzimeve dhe dispozitave në arsim… Ai mbetet shumë i përfolur lidhur me shitjen e librave nëpër shkolla në kundërshtim me katalogun e tekstit shkollor; për shkatërrimin e shkollës publike për të favorizuar shkollën private ku edhe merr rrogë muaj për muaj; falsifikimin e listave dhe rezultateve të provimeve; abuzimet lidhur me kreditet e mësuesve; detyrimin e shkollave për t’u shitur nxënësve libra jashtëshkollorë; ushtrimin e presionit tek mësuesit për të zgjedhur tekste mësimore të shtëpive botuese me të cilat ishin të lidhur krerë të ministrisë dhe DAR-it; shpërndarjen e formularëve nëpër shkolla për t’i mbushur me emrat e mësuesve dhe të afërmve të tyre për të votuar PD; ushtrimin e presionit tek mësuesit për të dalë në mitingjet dhe takimet elektorale të PD; bërjen e sekserit në emër të drejtuesit të arsimit duke dhunuar rëndë imazhin e institucionit dhe të arsimit në tërësi dhe shumë të tjera. Anesti Shuka ka lozur prej shumë vitesh me kartën e njeriut të aftë të bëjë çdo shkelje dhe kjo i ka dhënë mundësi të qëndrojë në të njëjtin vend pune pavarësisht forcës politike në pushtet dhe ndërrimit të drejtuesve… Shuka erdhi dhe u fuqizua më shumë, veprim që vazhdon të komentohet… Shuka, që deri dje kishte frikë të shkonte në kolektiva pedagogjikë ngase u trembej akuzave të hapura, tani ka marrë çantën dhe shëtit nëpër shkolla i patrazuar. Ishte emri më i besuar për të përfaqësuar drejtorinë arsimore në konkurset fantazmë për vendet e lira të punës, konkurse që pasi u doli shumë shpejt boja u hoqën përfundimisht. Ai de facto e de jure bën emërimet në vendet e punës boshe, propozon te titullarja se cilët drejtorë shkolle duhet të qëndrojë e cilët duhen hequr; cili duhet transferuar dhe cili duhet emëruar rishtas; cilët janë me PD e cilët me PS. Të gjitha i bën pa e vrarë fare mendjen për ligjet. Gjatë gjithë këtyre viteve në fshehtësi ka intriguar dhe shpifur disa herë për mësues e drejtues duke dërguar tek titullarët në mënyrë të kundërligjshme propozime për masa disiplinore vetëm pse mësuesit e drejtuesit nuk janë bërë pjesë e shkeljes së ligjit”.
Edhe “Dyrrah”-u është informuar për problemet që u kanë dalë mësuesve pasi kanë kryer kualifikimet dhe janë certifikuar, por që Shuka u nxjerr yçkla për kreditet.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





