“Gramozi plaçkitet nga mafia shqiptare e drurëve”, është titulli i një shkrimi në gazetën greke “Ta nea”, ku përshkruhet shkatërrimi i pyjeve të malit të Gramozit, për shkak të prerjes së drurëve, që bëhet nga shqiptarët.
Sipas gazetës, mafia shqiptare po shkatërron pyllin me prerjet e paligjshme të pemëve dhe drutë e prera i transporton drejt Shqipërisë me mushka gjatë natës.
Banorët e fshatit grek Trilofos, pranë kufirit, tregojnë se sipërfaqe të tëra të zhveshura kanë qenë me pemë 30 vjeçare lisash dhe pishash, të cilat janë prerë një metër nga rrënja.
Gazeta shkruan se trupat transportohen me mushka drejt kufirit shqiptar, rreth 500 metra në brendësi të të cilit, pranë fshatit Vidohovë, është hapur një kompleks me sharra elektrike, ku priten e bëhen gati për në destinacion.
Që këtu, drurët më të mirë shkojnë në Itali për ndërtimin e fuçive në kantinat e verës, trungjet e drejtë shiten në kompaninë shqiptare të energjisë për shtylla elektrike, ndërsa një pjesë e madhe dërgohet sërish për shitje në tregun grek, si lëndë djegëse për ngrohje.
Zv/guvernatori i Kosturit Dhimitris Savopoulos ka konfirmuar për gazetën se vitet fundit janë prerë mbi 3000 hektarë pyje, një zonë ekuivalente me 35 000 m kub lëndë drusore.
Sipas “Ta Nea”, ky biznes ka lulëzuar sidomos pas vitit 2007, që kur në këtë zonë mungojnë repartet ushtarake greke, duke iu lënë trafikantëve fushë të lirë veprimi.