TIRANE – “Projekti amerikan për të krijuar Shqipërinë e Madhe po realizohet ngadalë, me mjete ushtarake dhe diplomatike". Kështu shkruan gazeta e përditshme kroate "Slobodna Dalmacija". 

Sipas analistes politike Jadranka Polovic, politika amerikane nëpërmjet ndërhyrjeve diplomatiko-ushtarake përgjatë disa vitesh në territoret shqipfolëse po finalizon një projekt të hershëm për bashkimin territorial shqiptar. 

Analistja ka përmbledhur disa fakte historike të ndodhura në Ballkan, të cilat sipas saj, kanë ndodhur në bazë të një plani paraprak të hartuar nga politika amerikane. Përmbledhja e këtyre fakteve niste me deklaratën e kryeministrit Sali Berisha për Shqipërinë e madhe dhe më pas listoheshin ngjarje si bombardimet mbi Serbinë në kohën e luftës me Kosovën, "Marrëveshja e Ohrit" etj. 

Ky plan i amerikanëve është bërë për të plotësuar interesat e këtij vendi, i cili dëshiron të shfrytëzojë vendndodhjen strategjike të Shqipërisë së madhe, si rrugë kalimi në vendet me pasuri natyrore si gazi dhe nafta. Gazeta kroate shkruan se viti 2013 parashikohet të jetë edhe viti i finalizimit të planit afatgjatë.