Tiranë, 20 prill 2014 – Gazetarët grekë kanë shkuar në fshatin e lindjes së Kudret Kumes dhe kanë takuar e biseduar aty me të afërmit e tij. Nëna 70-vjeçare e Ilias dhe vëllai i tij Shkëlqimi, për herë të parë pranuan të bisedojnë me gazetarë grekë dhe treguan historinë e jetës së të afërmit të tyre. Nëna, Resmija u thotë gazetarëve se ende nuk e kupton se çfarë e shtyu djalin e saj të vrasë gardianin grek në burgun e Malandrinos. “Ëndërroj se ai është ende gjallë. Kur mendoj se e ka mbuluar dheu, nuk mundem të jetoj".
Lidhur me raportin mjeko-ligjor që nxori si shkak të vdekjes, thyerjen e kafazit të kraharorit, nëna e Ilias ka dyshimet e veta. “Për një gjë dua t’ju pyes. Zemra e djalit tim mbi ç'baza u mbajt në Greqi? Kur ne shkuam për të marrë trupin e tij, na thanë se do ta mbanin zemrën, por jo arsyen. Unë dua ta di, edhe pse djali im nuk do të kthehet më”…
Më tej familjarët përmendin letrën e Karelit që u shkruante autotiteteve greke, ku mes të tjerave thuhej se: “Pse nuk më lejoni të shkoj në shtëpinë time, për ta gjetur nënën gjallë, pse?…”
Të afërmit pohojnë se Ilia komunikonte me ta thuajse çdo javë, por ai asnjëherë nuk kishte treguar për jetën në qeli. Sipas vëllait të Ilia Karelit, në komunikimin e tyre disa ditë para vrasjes së rojës, ai dukej i qetë, duke kërkuar vetëm 2-3 gjëra si gjithmonë.
Nipi i vogël i 42 vjeçarit ka lyer me bojë dorën e djathtë fjalën Deti, siç i thërrisnin xhaxhait të tij, Kudret. Ndërkaq edhe Kudret Kume kishte në të njëjtin krah një tatuazh me emrin e nipit.
Gazetarët grekë shkruajnë se dy kilometra nga Zhupani është varri i Kumes, ngjitur me atë të të atit, ku valviten 9 flamuj shqiptarë, fakt i cili sipas tyre, tregon dimensionin kombëtar të rastit.
Në shkrim, përshkruhet edhe udhëtimi i gjatë i Kumes në burgjet greke, i cili ka filluar në tetor të viti 1997, kur u shpall fajtor për vjedhje të rëndë. Pas 9 vitesh bëri tre të pestat e dënimit dhe u lirua me kusht. Në mars 2007 u kthye sërish prapa hekurave, këtë herë i akuzuar për tentativë vrasje të një çifti në Iraklio, gjatë një grabitjeje. Krahas këtij krimi, u dënua me 8 vjet burg për trafik droge.
Gazeta To vima i referohet avokates së Ilias, Maria Stamelou, e cila kishte folur me klientin e saj disa ditë para vrasjes së gardianit. Kareli i kishte shfaqur shqetësim për një akuzë të re për drogë, në kohën kur ai besonte se do të lirohej për 24 orë.
/Gazeta Shqiptare/





