Nga Anila Hoxha
Ndonëse nuk ka statistika të sakta se sa rezulton të jetë numri i punonjësve të medias që i janë drejtuar gjyqësorit në rang vendi për shkelje të Kodit të Punës, sondazhet e organizatave të ndryshme tregojnë se gjatë dy dekadave të fundit gazetarët kanë ngritur padi kryesisht për zgjidhje të menjëhershme të kontratës.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit publikoi në muajin shkurt 2019 Udhëzuesin për të Drejtat e Punës së Gazetarëve, ku prezantohen dhe shembuj nga praktikat gjyqësore të mbrojtjes së të drejtave të gazetarëve në vendin e punës.
Ndonëse krahasuar me sondazhet e shumta gjendja e kushteve të punës paraqitet e përkeqësuar, rastet e evidentuara në gjykatë evidentojnë probleme të shkeljes së të drejtave të punës, siç janë deklaruar nga vetë paditësit të tilla si: vonesa e mospagim i pagës, apo edhe mospagesë të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Shtatë vite pasi fitoi në gjykatë padinë civile ndaj punëdhënësit, gazetari Endri Xhafo, posedon një vendim gjykate, që ende nuk është zbatuar. Vec rrogës që vonohej, shkelja tjetër, që pasoi të parën ishte largimi nga detyra në kundërshtim të plotë me Kodin e Punës. Mes gazetarëve të paktë që zgjedhin gjyqësorin për të gjetur të drejtën në raste të tilla, Endri Xhafo tregon se çfarë ndodhi nga viti 2013 e në vazhdim: “I hodha në gjyq se ma mbyllën programin sot për nesër.
Pse? Vetëm sepse kisha planifikuar të ftoja të nesërmen Aleksandër Çipën, kryetarin e Unionit të Gazetarëve, i cili atë ditë, kishte folur për gazetarët e papaguar. E meqë në atë kohë Albanian Screen kishte 4 muaj pa i paguar punonjësit, menduan se mund ta thoja këtë gjë live në program. Kështu që sot për nesër, pa paralajmërim, i vunë drynin programit, duke më hequr edhe mua nga puna. Nga gjykata kërkova rrogat e prapambetura dhe 12 rroga dëmshpërblim për largim pa arsye nga puna.
Gjyqin e fitova deri në Apel, i cili e uli pak masën e dëmshpërblimit, por duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Pala e paditur bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, që ende nuk është zhvilluar, por vendimi i Apelit, duke qenë i formës së prerë, më jepte të drejtë të kërkoja paratë e mia.
Mirëpo 2 muaj pasi më hoqi mua nga puna, Rezart Taçi shpalli falimentin dhe kur unë shkova me përmbaruesin për të parë se çfarë mund të merrnim, rradha e debitorëve që kishin vënë sekuestro mbi pronat e Albanian Screen ishte aq e gjatë sa edhe sot që flasim vendimi i gjykatës nuk është ekzekutuar. Pra, jo vetëm që unë nuk mora paratë e mia, por mësova pranë drejtorisë së tatimeve Tiranë që as sigurimet shoqërore nuk ishin derdhur, pavarësisht se ishin deklaruar”.
Pikërisht për ngërçe të tilla, por edhe për të mos patur probleme punësimi të mëtejshme gjatë karrierës, gazetarët stepen t’i drejtohen gjykatës. Juristi Julian Mërtiri, i angazhuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit për të përfaqësuar falas në gjykatë dhe për t’i këshilluar gazetarët për çështje kontraktuale, sugjeron si zgjidhje kontrollin e fortë të institucioneve përgjegjëse mbi punëdhënësit në media.
“Vërej se askush nuk ka kontrolluar se a kanë këta njerëz kontrata punësimi, a paguhen sigurimet, a garantohen të drejtat sipas Kodit të Punës. Kjo ka sjellë këtë situate për shumë gazetarë. Mospagimi i tyre nga punëdhënësi në fakt, përbën vepër penale, dhe çdo punëmarrës privat do të përballej me këtë akuzë”, deklaron Avokati Mërtiri.
Aktualisht ai përfaqëson në gjykatë paditë e dy gazetarëve. Por problem ngelet edhe zgjatja e proceseve, që sipas avokatit zvarriten nga 3 deri në 4 vjet dhe që sjellin humbje të qëllimit. Nga ana tjetër Gjykata e Tiranës duke ruajtur të dhënat personale të gazetarëve paditës, raporton se sa i takon shkeljeve të Kodit të Punës, së fundmi janë dorëzuar tre padi. Objekt i padive janë sigurimet shoqërore dhe mospagimin e rrogës.
Një tjetër gazetar karriere që ka kërkuar azil jashtë vendit, po e ndjek largimin e padrejtë nga detyra përmes një avokati. Por ai nuk preferon të prononcohet pa thënë gjykata fjalën e saj.
Gazetarja Nikoleta Kovaçi, është pesimiste sa i takon dhënies së drejtësisë në fushën e shkeljes së Kodit të Punës, aq më tepër kur gazetarët nuk kanë firmosur një kontratë. Kovaçi nuk iu drejtua gjyqësorit duke mbajtur parasysh këto rrethana, por e zgjidhi “miqësisht” çështjen e mos marrjes së rrogave.
Kovaçi tregon se si nisën problemet, që më tej e frenuan t’i drejtohej gjykatës “Pasi takuam pronarin së bashku me disa gazetarë të tjerë, ai nuk dha asnjë lloj shpjegimi dhe premtimi, por la të kuptohej se kështu kishin vazhduar edhe të tjerë më parë. Sigurisht që mendova t’i drejtohesha gjykatës, por fakti që ai projekt ishte sezonal mendova se problemi do zgjidhej.
Duke patur parasysh se kostoja gjyqësore do ishte më e lartë se paga qesharake e imja u frenova. Por në rast se do t’i drejtohesha gjykatës më duhej edhe kontrata, por unë nuk kisha asnjë kontratë me punëdhënësin. Situata e gazetarëve është e mjerueshme, nuk ka qenë asnjëherë gazetaria shqiptare në këto kushte të mos respektimit të të drejtave të punës“ e mbyll prononcimin e saj Kovaçi.
Nga ana tjetër gazetari Adi Darsi është nga ata gazetarë që priti një zgjidhje me mirëkuptim nga punëdhënësi i cili i vonoi rrogat për muaj me radhë. Në fund të 2019, u bind se e vetmja rrugëzgjidhje është gjykata, pavarësisht proceseve që tejzgjasin. Por problemet kishin kohë që kishin nisur, ndaj Darsi përshkruan se “në vitin e dytë të punës vonesa e pagës u bë e përmuajshme. Kemi shkuar deri në tre muaj vonesa. Në vitin 2019 gazetën e bleu një botues tjetër. Ndërkohë që ne ishim në borxhe që shkonin deri në katër paga. Negociatat me botuesin e vjetër nuk dhanë rezultat dhe kështu vitin e kaluar me ndihmën e KSHH morëm një avokat që nisi procedurën e padisë.
Sipas rregullave u njoftua pala e paditur dhe botuesi. Mbasi i trembur nga situata e re, pagoi një pjesë të detyrimit, por jo të gjithë borxhin. Tani jemi në pritje të nisjes së gjykimit. Ndërkohë jemi në gjyq me botuesin e parë, situata është përsëritur edhe me botuesin e dytë. Tashmë duhet të bëjmë një padi të re.
Shpesh gazetarët nuk bëjnë padi për shkak të vonesave që kanë gjykatat. Deri kur të marrë gjykata një vendim është shumë larg, ndërkohë që duhet të sigurosh të ardhurat e munguara dhe nuk ke kohë të humbasësh nëpër seanca gjyqësore.”
Gazetari thekson atë që në shumë anketime anonime shumë gazetarë pohojnë: parashikimin se një padi në gjykatë hap vështirësi ekonomike por edhe probleme për të gjetur një punë të re. Darsi këmbëngul se “të paditësh një botues dhe pronar e bën më të vështirë për gazetarin, gjetjen e një pune tjetër në profesion”.
Dhe duke përmbledhur problemet e respektimit të të drejtave të punës, të pranuara nga profesionistët e medias, avokati Mërtiri e konsideron stepjen, një fenomen të të përgjithshëm tek gazetarët, pasi siç e interpreton juristi “ nëse ata i drejtohen gjykatës, do të etiketohen si “delja e zezë” dhe ky imazh do t’i ndjekë edhe tek ndonjë media tjetër ku mund të kërkojnë punë në të ardhmen. Ndjej se ekziston një solidaritet midis botuesve dhe pronarëve në këtë pikë”.
Kjo na bën të reflektojmë e të themi se derisa gazetarët të pranojnë të denoncojnë rastet e shkeljeve, të flasin hapur dhe jo në anonimitet ata do të vazhdojnë për shkaqet e mësipërme të pranojnë në heshtje shkelje të tilla të Kodit të Punës, që nuk janë asgjë tjetër veçse çështje që mund të fitohen në gjykatë.