TIRANË, 10 prill 2013- Gazetarë nga të gjitha mediat, analistë, drejtues të organizatave jo qeveritare, deputetë dhe qytetarë protestuan në afërsi të Kryeministrisë pas dhunimit të operatorit të Top Channel Gent Ballta nga zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani.

Pak përpara nisjes së protestës vetë Erzen Breçani, tashmë i pezulluar nga detyra, ka qëndruar për pak minuta në vendin ku do të protestohej duke shtrënguar duart me operatorët dhe gazetarët. Ndoshta si një shenjë pendese apo intimidimi ndaj njerëzve të medias.

Njëzëri komuniteti i gazetarëve ka dënuar aktin e dhunimit të kolegut të Top Channel nga ky zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit i cili në vend të mbrojë gazetarët në detyrë i dhunon ata.

Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve kërkoi që çdo njeri i veshur me pushtet të mos guxojë të verë dorë ndaj gazetarëve që janë në mision të informimit publik.

"Unioni i Gazetarëve përkrah të gjithë ata kolegë që kërkojnë ndihmë dhe janë në misionin e zbulimit të të vërtetave", tha Çipa.

Pozicioni i policise se Tiranes ka qene me shume se i turpshem duke mohuar cdo pergjegjesi e duke justifikuar dhunen, qe ra mbi operatorin e Top Channel, por kushdo neser mund te jete pre e arrogances dhe abuzimit, jo thjesht nje gazetar, por cdo qytetar i thjeshte i ketij vendi, qe shpreson te shohe tek uniformat blu mbrojtesit e sigurise dhe jo abuzuesit dhe dhunuesit.