Qindra milionë euro nxirren nga trafiku i lëndëve narkotike në vend. Kështu deklaroi gazetari investigativ Artan Hoxha, në rubrikën ‘Opionon’ në “News24”, teksa u ndal tek operacionet antikanabis që po ndërmerren nga Policia e Shtetit, pohoi se kanabis sattiva ka një treg të sigurt.
Në një analizë të detajuar, Hoxha tha se policia duhet të tregojë kujdes gjatë muajit shtator, pasi ky është muaji kur rritet edhe kriminaliteti në vend, për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Ai tha se një pjesë e qindra miliona eurove që do përfitohet nga ky fenomen i këtij viti, do investohen në fushatën e ardhshme zgjedhore parlamentare, por edhe për zgjedhjen e presidentit.
Hoxha ndër të tjera pohoi se hashashi shkëmbet me heroinë në Turqi, që sipas tij është edhe një nga vendet kryesore dhe shërben si bazë kryesore. “Grupet shqiptare e kanë marrë nga Turqia heroinën”, tha Hoxha. Hoxha theksoi se për mbjelljen e kanabisin të tjerë financojnë dhe të tjerë grupe kultivojnë.
Gazetari Hoxha u ndal ndër të tjera edhe tek aksioni i djeshëm antikanabis në Skrapar, ku u arrestuan 11 kultivues droge. Ai theksoi se një element që vihet re nga organizimi i këtij trafiku, se të arrestuarit nuk ishin banorë të kësaj zone, por nga qytete të tjera të vendit. “11 persona u arrestuan dje në Skrapar, asnjë nuk është nga zona, një gjeografi e gjerë që tregon se sa janë të organizuara grupet e trafikimit.”, shtoi Hoxha.
“Kur të jetë korrja, tharja, policia duhet të përgatitet për një situatë tjetër që mund të krijojë probleme. Në të paktën 4 raste, ka pasur 4 viktima, që janë vrasje për shkak të përfshirjes në kultivues dhe trafikim të lëndëve narkotike. Ky trafik ka shënuar edhe viktimat e para në gusht. Kujdesi duhet të tregohet në muajin shtator”, pohoi gazetari Hoxha.





