11 shtator 2015 – “Shqipëria – ndryshe nga çfarë na është paraqitur me dekada”, ky është titulli i një reportazhi të gazetarit të njohur boshnjak Reshad (Rešad) Mamela, ku ka disa foto nga Durrësi, madje shkrimi hapet me një foto të tij në amfiteatrin e një qyteti “që e lë njeriun pa frymë”.  

Në hyrje të shkrimit autori shënon:

“Në sajë të agjencisë turistike "Bosnaexpres-Doboj Jug", dhe me organizimin e kohës kalova tetë ditë të paharrueshme në një Shqipëri miqësore, kam pasur mundësinë të njoh këtë vend. E pranoj, me shumë skepticizëm bëra këtë udhëtim, dhe arsyeja ishte informacioni që na është dhënë për dekada të tëra për këtë vend – fatkeqësi, varfëri, vuajtje … vendi më i mbyllur dhe më i kontrolluar.

Po, ndoshta kjo ishte deri njëzet vjet më parë, në kohën e Enver Hoxhës, por tani … kjo është diçka tjetër, tani është një vend që mirëpret turistë nga e gjithë bota për të shijuar traditën dhe trashëgiminë e pasur kulturore. Nga çfarë pashë, ndjeva, përjetova… ky vend është tani parajsë për sytë, ndjenjë për shpirtin, “merhamet” për portofolin tonë boshnjak…

Në një vend, brigjet e të cilit lagen nga Adriatiku dhe Joni, vizitorët mund të eksplorojnë historinë e tij të lashtë dhe të shikojnë zhvillimin e pabesueshëm aktual dinamik, i cili çdo ditë e më shumë po bëhet edhe më dinamik”.

Udhëtimin për në Shqipëri Reshad Mamela e nis nga Mali i Zi, pastaj në Hanin e Hotit, Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë. Në Durrës Mamela ka bërë fotografi të sheshi “Liria”, Torra Veneciane, “Tina Turner”-i, Shkëmbi i Kavajës etj. Ja çfarë shkruan për Durrësin gazetari:

“Qyteti që e lë njeriun pa frymë është Durrësi, qytet dhe port në bregdetin e Adriatikut. Ka një popullsi prej rreth 400 000 banorë, është qyteti i dytë më i madh i vendit, kurse me Tiranën lidhet me autostradë 33 km të gjatë. Durrësi është një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri, dhe kur Shqipëria u bë e pavarur në vitin 1912, ishte kryeqyteti i saj deri në vitin 1920. Tani është qytet modern me bulevarde dhe shëtitore bregdetare dhe ka rreth 1 200 dhoma hotelesh dhe jo shumë kohë më parë, në vitin 1990, kishte vetëm një hotel në këtë qytet të bukur. Ky fakt në vetvete tregon se si Shqipëria u bë hit në turizmin evropian, pasi në çdo moment në qytet dhe në 24 km plazh me rërë, ndryshe  Durres Beach  [anglisht në origjinal], mund të shihni mijëra turistë nga e gjithë bota. Turma në rrugë, mikpritje, kuzhinë interesante, arkitekturë e pazakontë me fasada me ngjyra të ndezura, si dhe bukuri të shumta natyrore e bëjnë këtë pjesë të Shqipërisë sot, por vetë Durrësin, një nga destinacionet turistike më tërheqëse në Evropë që duhet përjetuar në stilin e jetës së vet autentike. Ka shumë atraksione për t’u parë, si Xhamia e Madhe, Muzeu Arkeologjik, Kisha Ortodokse, Qendra Kulturore-teatri “Aleksandër Moisiu”, amfiteatri më i madh në Ballkan, shumë plazhe”.

/përgatiti th. m. portali “DurresLajm”/