Shumëkush në Durrës, sidomos sportdashësit, e njohin gazetarin e njohur durrsak Bujar Qesja. Një jetë kushtuar sportit, veçanërisht pasqyrimit të eventeve të rëndësishme në Durrës dhe figurave të njohura që sporti durrsak i ka dhuruar jo vetëm qytetit, por edhe Shqipërisë.
Me një arkivë për t’u pasur zili dhe një kujtesë të admirueshme, Qesja kurdoherë ka sjellë në vëmendjen e të gjithëve, ngjarje, data, personazhe që kanë lënë gjurmë në historinë e sportit në Durrës dhe jo vetëm.
Nga sot, ai ka marrë një vendim të rëndësishëm. Arkivën e tij shumë të pasur të fotografive, e shtrirë në disa dekada, ai do ta ndajë me të gjithë ndjekësit e tij në Facebook, duke dashur kështu që t’i bëjë “pronë publike”, siç shprehet ai.
“Janë foto të rralla, që flasin shumë, shumë, për atë që quhet komuniteti fisnik durrsak, apo ndryshe komuniteti i qytetit tim të lindjes Durrësit. Asnjëherë nuk e kam ndarë jetën time intensive, nga përfaqësimi i asaj që quhet vlerat e qytetit tim”, shkruan ndër të tjera Qesja, në një shkrim të gjatë në Facebook.
Dhe ndarjen e arkivës së tij me të gjithë, Qesja e nis me publikimin e një fotoje, ku shfaqen shumë figura të njohura të sportit në Durrës, një pjesë e mirë e të cilëve të ndarë tashmë nga jeta.
“Sa mall, sa trishtim, sa dhimbje, kënaqësi dhe emocion”, shkruan Qesja përkrah fotos.
Shkrimi i plotë i gazetarit sportiv Bujar Qesja:
Arkiva ime
Sa mall, sa trishtim, sa dhimbje, kënaqësi dhe emocion
Nga sot e në vazhdimësi, do të kaloj në fb për t’i bërë pronë publike, një pjesë të aktivitetit tim të jashtëzakonshëm, në dobi të kulturës, artit, sportit dhe qytetarisë durrsake. Janë foto të rralla, që flasin shumë, shumë, për atë që quhet komuniteti fisnik durrsak, apo ndryshe komuniteti i qytetit tim të lindjes Durrësit.
Asnjëherë nuk e kam ndarë jetën time intensive, nga përfaqësimi i asaj që quhet vlerat e qytetit tim. Puna, detyrat shtetërore dhe private, pasioni dhe zelli i madh ndaj profesionit tim të gazetarit profesionist, e theksoj gazetarit profesionist, pasi sot ka shumë, shumë e janë për lumë, më ka detyruar që të përpiqem të jem përfaqësues i ngjyrave të mia, që është Durrësi.
Më vjen mirë, që emri im është lidhur, si ta zemë: “këtë e ka shkruar ai durrsaku”, “po, po e kam lexuar shkrimin e atij durrsakut”, “është ai, Bujari i Durrësit”, etj, etj. Këto ma kanë ngritur në qiell, krenarinë për punën time, por edhe për atë që përfaqësoj. Pasi kur kam transmetuar nga Niko Dovana për Radio Tiranën, me 23 prill 1994, fitoren historike të Teutës me Vllazninë 1-0, dhe durrsakët e mi, për herë të parë në histori, u shpallën kampionë të Shqipërisë në futboll një javë përpara, për 25 minuta kam dhënë një panoramë, të ecurisë të të gjitha brezave. Kjo ëndërr, është përjetuar nga i gjithë qyteti. Festa atë ditë ka “djegur” Durrësin. Nejse do të kemi rast të prekim historinë tonë, të futbollit durrsak dhe jo vetëm këtë, në arkivën time, të jetës time, të asaj që quhet, inventari i artë i një profesionisti veteran të letrave.
Çfarë kemi sot!?
Jam tejet i prekur dhe drithërues. Komentin bëjani vetë. Unë aq sa më lejon rasti.
22 qershor 2001

Vështroni këtë foto. Në këmbë nga e majta: Selami Dakoli, një njeri i përkryer, vlerë e Durrësit, nënkryetar i Bashkisë së Durrësit në këtë vit. Mirban Kadiu- legjendë e gjallë e Durrësit në not, historian i notit, një njeri me shumë reputacion në Durrës. Vazhdojmë. Me Dilaver Carën. Eh Dilaver Cara! I përkryer. Kuadër i edukimit fizik, i pakonkurueshëm. Drejtues klubi në shumësportesh. Arbitër historik i volejbollit shqiptar, teksa drejtoi një ndeshje ndërkombëtare në Izrael, i vetmi që shkeli këtë tokë në kohën e djeshme. I larguar nga jeta. Koço Afezolli. Kultura dhe qytetaria e notit durrsak. Nga nismëtarët e krijimit, të shoqatës së veteranëve të notit shqiptar. Notar dhe trajner. Nuk iu nda notit, deri në ditët e fundit të jetës së tij. Ka pak javë që Koçi ynë, nuk është më ndër ne. Vlash Dhima, notar veteran. I larguar nga jeta. Më tej i madhi Raq Manushi. Më djeg shpirti, për këtë njeri brilant të Durrësit. Atlet i përmasave të veçanta, futbollist krahu me Lokomotivën e viteve 50-të. Edhe Raqi nuk jeton më. Eqerem Korra! Edhe ky historik, nuk e përballoi sëmundjen e gjatë dhe tani na vështron nga parajsa. Notar i rrallë i distancave të gjatë. Oh, çfarë njeriu. Ulur në gjunjë nga e majta: Halil Myderrizi. Një zotëri i vërtetë. Në atë vit Kryetar i Shoqatës Durrësi. Presidenti Nishani, me 10 maj 2017 e dekoroi me titullin Mjeshtër i Madh. Shpëtim Metani, tani Kryetar i Shoqatës Durrësi. Ruzhdi Demiri, një njeri fisnik, i shkëlqyer. Bashkëpunëtor i shtypit sportiv, inspektor në klubin shumësportesh Teuta, instruktor sporti në Shtëpinë e pionierit, një njeri që ishte i lindur me edukatën sportive. Ka vite që është ndarë nga jeta. Refik Kajsiu, mjek higjenist, veprimtar i shoqatës Durrësi.
Sa mall, sa trishtim, sa dhimbje, kënaqësi dhe emocion!
bq





