Arian Çani mund të ketë provuar për herë të parë se çdo të thotë që të tjerët të luajnë me ty. Ndërsa ishte përgatitur për të dhënë një intervistë të gjatë për karrierën e tij dhe sukseset e arritura me gazetarin e emisionit “Shoë Meselation” nga Mitrovica, Blerim Peçin, në fakt ai thjesht është ironizuar nga gazetari, i cili ka realizuar një pseudo-intervistë shumë të shkurtër.

Në fakt, videoja e publikuar prej vetëm 2 ditësh në youtube ka gjetur një përhapje të gjerë. Siç është shpjeguar nga ata që e kanë hedhur videon, arsyeja pse intervista është shumë e shkurtër ishte fakti se Arian Çani e ka refuzuar shumë shpesh intervistat për kolegët e tij kosovarë me justifikimin se s’kishte kohë.

Si rrjedhojë, kolegu Blerim Peçi që është njëkohësisht autor i emisionit “Vikendi RTK” u hakmor duke i thënë se nuk kishte kohë më tepër për intervistë.

“Na vjen keq Arian, tjera herë më i kujdesshëm ndaj kolegëve nga Kosova!” thuhet publikisht. E duket se ky është një mësim për Arian Çanin, i cili “vdes” të luajë me të ftuarit në studio.