Fitorja e Shkëndijës kundër Mllada Bolesllav në kuadër të kualifikimeve për fazën e grupeve në Ligën Evopa ka shkaktuar reagimin dhe revoltimin e gazetarëve maqedonas. Gazetari i televizionit ultra-nacionalist Igor Trpeski ka kërkuar që gazetari Dritan Shakohoxha të shpallet “Persona non grata” në Maqedoni. Arsyeja është se gazetari pretendon se arenën ”Filip Vtori” në Shkup e ka quajtur si arena “Adem Jashari”.

Igor Trpeski me një postim në Facebook ka kërkuar që Shakohoxha të shpallet “Persona non grata” dhe SuperSport-it t’i ndalohet transmetimi në Maqedoni.

“Shkruaj shkurt dhe dua të jem i qartë. Nga sot unë nuk do të publikoj lajme për KF Shkëndija nëse shefi apo presidenti i Shkëndijës nuk distancohet nga komentatori që arenën “Filip Vtori” e quajti “Adem Jashari”. Ju bëj thirrje edhe kolegëve të mi gazetarë që të bëjnë të njëjtën gjë. Gjithashtu bëj thirrje edhe tek Federata e Futbollit të Maqedonisë që të ndalojë transmetimin e platformës SuperSport në Maqedoni për lojën Shqipëri-Maqedoni në suaza të kualifikimeve për Kampionatin Botëror. Ndërmarrjes për menaxhim me stadiumin i bëj thirrje që të mos lejojë Shkëndijën të luajë në këtë stadium. Boll me nacionalizëm në terrenet sportive”, shkruan Trpeski me shumë mllef e nervozizëm.

Nga ana tjetër, edhe e përditshmja sportive Maqedonase e ka quajtur këtë rast si provokim nga gazetari Dritan Shakohoxha.