Gazetari Vehbi Kajtazi ka sjellë detaje të reja në lidhje me vrasjen e Liridona Ademajt nga bashkëshorti i saj, ngjarje e ndodhur më 29 Nëntor të vitit të kaluar.
Pas 11 vitesh martesë, Naim Murseli vendosi të vrasë gruan e tij dhe për këtë kishte 1 vit që e mendonte.
Gazetari Kajtazi tha se Naim Murseli ka folur për një lidhje të tij me gruan e një familjari të cilën e ka marrë vesh Liridona. Por dëshmia e babait të Naim Murselit thotë se ky problem është mbyllur.
“Kjo është ngjarja për të cilën kam raportuar dhe jam ndjerë shumë keq për dy arsye. E para për një plan 1-vjeçar të këtyre dy personave (Naim Murseli & Kushtrim Kokalla) dhe ndërkohë fatkeqja jetonte me të. Si e dëshmoj këtë 1 vit? E thotë vetë. Thotë unë kam pasur probleme me Liridonën, probleme bashkëshortore, kam tentuar me vra veten për shkak të këtyre problemeve. Ky thotë se ka qenë në lidhje me një grua të një familjari të tij. Shumë të afërt. Thotë se jam zbuluar nga Liridona. Për këtë flet edhe babai i tij, por sipas tyre ky problem është tejkaluar, është mbyllur brenda familjes, sepse kanë dalë këta të dy, edhe çifti tjetër edhe e kanë mbyllur. Kështu deklarojnë”, tha gazetari.
Sipas gazetarit Kajtazi, personi që fundos Naim Murselin dhe Kushtrim Kokallën është Granit Plava.
“Ky pretendon se shumë presion prej të ndjerës dhe duke diskutuar me nipin e tij ky thotë se Kushtrim Kokalla më propozoi zgjidhjen e problemit dhe cila ishte zgjidhja e problemit? Ky thotë se ta vras unë Liridonën. Për një vit këta të dy e kanë diskutuar këtë temë. Por Kushtrimi e thotë versionin tjetër, nuk e kam propozuar unë t’ia vras gruan. Ai (Naimi) më ka kërkuar mua ta vras gruan e tij. E vërteta e të dyve është se të dy janë përfshirë në një plan njëvjeçar të cilin e zbulon Granit Plava dhe ky i fundos të dy sepse Kushtrim Kokalla e nxjerr në kontakt me Granit Plavën. Këta të dy thonë që nuk janë njohur me njëri-tjetrin, janë njohur dy javë para krimit”, tha gazetari.