Janë rreth 5 kilometra për t’u përshkruar më këmbë nga policia, forcat zjarrfikëse dhe ndihma e shpejtë për të arritur tek 4 personat që janë aksidentuar mbrëmjen e sotme në masivin pyjor të Munellës në Gjegjan, Pukë.
Gazetari Armir Mehaj dhe grupi i xhirimit janë gjithashtu me policinë.
Pas disa kilometrash me automjete, forcat e ndihmës së shpejtë, policia e zjarrfikësit janë ndalur për të vijuar më këmbë, me gjithë barelën në krahë deri në vendin ku ndodhet gazetari Alfred Lela dhe tre persona të tjerë, gjendja e të cilëve nuk dihet ende se si është, pasi janë përfshirë në një incident teksa po kryenin eksplorime në zonë për shkak të motit të keq me stuhi të fortë dhe borë.
Gazetari Lela ka deklaruar se një alpinist është plagosur, një tjetër ka humbur kontaktet, ndërsa ai vetë është dëmtuar në këmbë. Ai ka thënë se teksa ata bënin ngjitje në mal në kushte të vështira të motit kanë rrëshqitur në borë dhe për pasojë kanë marrë dëmtime në trup, ndërsa vijojnë kërkimet për alpinistin që ka humbur kontaktet.
Këto janë pamjet që vijnë nga operacioni i shpëtimit që po zhvillohet mbrëmjen e sotme të siguruara për “BalkanWeb” nga gazetari Armir Mehaj.





