Gazetari italian, Dario De Luca, i cili vuri në lëvizje autoritetet italiane dhe ato shqiptare për grupin e “Habiljave”, sot ka bërë një shkrim, i cili përmban deklarata të forta.

Ai shprehet se qyteti i Durrësit është konsideruar, konsiderohet dhe do të vijojë të mbetet si rruga apo porta e “ngarkesave” ballkanike.

“Durrësi, qyteti i dytë më i rëndësishëm në Shqipëri, kufiri i fundit drejt brigjeve të Pulias… Lëndët narkotike si kokaina, marijuana, hashashi, heroina, por edhe armët, që brigjet shqiptare kalojnë ekskluzivisht përmes detit… Hetimet e viteve të fundit kanë treguar në mënyrë të qartë, sesi rrugët ballkanike janë kthyer në itinerarin kryesor për të mbushur Evropën me drogë.  Bosët shqiptarë të drogës, të dyshuar dhe të dënuar, vitet e fundit mbajnë emrat e Klement Balilit, Alket Hatijës, Moisi Habilajt dhe Dhimitër e Xhevahir Poti”,- shkruan ndër të tjera gazetari italian.

De Luca thekson se porti i Durrësit, më i madhi në Shqipëri, për vetë ngarkesën e madhe të mallrave që eksporton dhe pozitën strategjike në rajon, krijon premisa për kalimin edhe të ngarkesave me droga të lehta apo të forta.

“Qindra kontenierë janë gati çdo ditë të nisen drejt Italisë dhe shpesh në ngarkesën e tyre ka edhe marijuanë apo kokainë, të fshehur mes mallrave të ligjshme”, shkruan De Luca.

Gazetari përmend ndër të tjera në shkrim ngarkesën prej 613 kg kokainë që arritën në portin e Durrësit dhe u sekuestruan në Maminas mes një ngarkese me banane nga Kolumbia për llogari të kompanisë se Arbër Çekajt, apo aksionin e policisë për arrestimin e 18 doganierëve dhe kreut të policisë kufitare.

“Në Durrës, klanet tregojnë interes të veçantë për trafikun e heroinës, e cila vjen nga Turqia dhe Afganistani. Nuk bëhet fjalë vetëm për grupe lokale, por edhe ato nga Tirana, Fieri, Berati dhe Tepelena”,- shkruan De Luca.

Sipas gazetarit Italian, problemi i vërtetë në portin e Durrësit, pir edhe në portet e Evropës mbeten kontrollet. Nuk mund të kontrollohen të gjithë konteinerët, pasi vonesat që shkaktohen gjatë kontrolleve dhe inspektimeve do të krijonin vonesa.

Duke u ndalur në qytetin e Vlorës, sipas De Luca-s, mafia italiane e sheh qytetin bregdetar si vendin ideal për investime.

“Qyteti i Vlorës është ndër favoritët për investimet e mafieve italiane në sektorin e restoranteve dhe lojërave të fatit”, shkruan ai.

Gazetari italian nuk harron të përmendë edhe oficerin e antidrogës Dritan Zagani, denoncimet e të cilit nuk u morën seriozisht në fillim dhe për këtë arsye ai u detyrua të kërkonte azil në Zvicër. Njëkohësisht ai shkruan edhe për prokurorin Besim Hajdarmataj, që u angazhua në hetimin për ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.