Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për televizionin serb “Happy”, citohet të ketë thënë se politika e jashtme e Kosovës i përket klubit të vendeve që e udhëheq Amerika. I pyetur nga gazetari serb nëse kishte vrarë dikë në luftë, Haradinaj ka thënë: “Nuk e di, ndoshta. Lufta është luftë”.

Ne jemi pjesë e Evropës dhe bashkëpunojmë me Brukselin dhe Berlinin. Megjithatë, kur bëhet fjalë për politikën e jashtme, ne jemi pjesë e klubit të vendeve që udhëhiqen nga Amerika. Për neve kjo nuk është problem që ta pranojmë, nuk kemi as kohë për t’u marrë me problemet në botë”, citohet të ketë thënë Haradinaj.

Haradinaj tha se ishte pjesë e ekipit të Kosovës që mbështeti marrëveshjen e Brukselit.

Duke folur për mundësinë e krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe, Haradinaj ka thënë se “Asociacionin mund ta formojmë, por në kuadër Kushtetutës së Kosovës”, transmeton Telegrafi.

Ai tha gjithashtu se derisa Serbia nuk e njeh Kosovën do të ketë dy pozicione “siç e shohim ne, dy të vërteta”.

Realiteti është se Kosova ekziston”, tha Haradinaj.

Në konstatimin e gazetarit se pas luftës 200 mijë serbë kanë ikur nga Kosova, Haradinaj tha se “në qoftë se duam të flasim me shifra, atëherë duhet të themi se në vitin 1999 një milion shqiptarë u larguan nga Kosova. Shumë janë kthyer, por jo të gjithë”.

Ndërsa sa i përket serbëve, Haradinaj tha se nuk e di se sa serbë kanë emigruar nga Kosova.

Sot nuk ka asnjë pengesë për të jetuar në Kosovë, për shkak të përkatësisë nacionale. Nëse jeni serb mund të jetoni në Kosovë. Nuk ka kërcënime”, tha ai.

Haradinaj gjithashtu ka folur edhe lidhur me arrestimin e Gjuriqit, duke thënë se ishte një situatë të çuditshme.

Megjithatë ndodhi një situatë e pakëndshme. Ai e kishte të ndaluar hyrjen. E dija paraprakisht se ai do të arrestohej. Ky arrestim ka qenë një situatë e pakëndshme për të gjithë”, tha ai.

Ishin interesante kujtimet e Haradinajt për qëndrimin e tij në Tribunalin e Hagës, ku u takua me një numër të madh serbësh, si Shlivanqanin dhe Sheshel.

Haga ishte një Jugosllavi e re, por nga një perspektivë nacionaliste. Realiteti ishte se jetonim shumë keq nën regjimin e Millosheviqit. Pushteti dhe policia bënë gjëra të tmerrshme, por populli serb e dinte se kjo nuk ishte e drejtë. Do të kërkoja nga Beogradi zyrtar që të sigurojë më shumë hapësirë për serbët nga këtu”, ka thënë Haradinaj.

Gazetari serb i ka shtruar një pyetje të drejtpërdrejtë lidhur me periudhën e luftës, duke e pyetur Haradinajn nëse e kishte vrarë dikë?

Nuk e di, ndoshta. Lufta është luftë. E kam veshur uniformën i vetëdijshëm për pasojat. Kam humbur dy vëllezër në uniformë. Njësoj gjykon edhe një ushtar serb kur shkon në luftë. Nëse nuk mund ta përballoni këtë, atëherë mos hyni në konflikt”, tha Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se dy herë është përballë me procese gjyqësore në Tribunlin e Hagës dhe ia ka dalë të triumfojë duke dëshmuar pafajësinë dhe pastërtinë e luftës që ka bërë.