Për Telnis Skuqin, gazetarin që është në azil politik jashtë vendit, dhuna ndaj kolegut të emisionit “Stop”, Genci Angjellarit ishte plotësisht e merituar. Madje Skuqi shkon më tej, kur thotë se Angjellari e meritoi dajakun dhe duhej rrahur edhe në punë. Problemi në pamjet filmike, sipas Skuqit, është “kërkesa e llogarisë” që gazetari bën ndaj Mirela Topullit, administratores së kompanisë “Euroteram”. Sipas Skuqit, mjaftonte një telefonatë dhe raportimi i shkurtër e mosprononcimit.
“Dajaku i djeshëm ishte i merituar, sepse mënyra se si gazetari kërkonte me forcë një prononcim ishte krejtësisht jashtë kornizave të gazetarisë hulumtuese”
“Nëse unë do të isha drejtuesi i emisionit "Stop", automatikisht do ta pushoja nga puna këtë gazetar ordiner, madje do t'i jepja edhe një dajak të mirë, jo me shpulla, por me shkelma” shkruan Telnis Skuqi.
GAZETARIA INVESTIGATIVE NUK ËSHTË VET DREJTËSIA
Nga Telnis Skuqi
Personalisht dënoj çdo sulm verbal apo fizik ndaj çdo gazetari, por dajaku i djeshëm ishte i merituar, sepse mënyra se si gazetari kërkonte me forcë një prononcim ishte krejtësisht jashtë kornizave të gazetarisë hulumtuese.
Një gazetar investigativ gjithmonë kërcënohet pas publikimit të investigimit, por kurrë gjatë procesit të investigimit.
Gazetari e ka kërkuar vet dajakun, sepse një investigues i mirë thjeshtë bënë punën e tij dhe pasi e "qep" e publikon, duke paraqitur me fakte dhe prova të gjithë investigimin e tij.
Gazetari është gazetar, nuk është as prokurorë, as avokatë dhe as drejtësia.
Nëse personi i prekur në investigimin e tij nuk dëshiron të prononcohet, një gazetar i mirë investigativ thjeshtë shkruan në fund të raportit të tij: "X person nuk dëshiroj të prononcohet".
Kaq!
Pamjet e djeshme ishin vërtetë skandaloze, sepse skandalin e prodhoj vet gazetari, i cili jo vetëm që nuk respektonte profesionin e tij, por i kërkonte llogari personit të prekur: A thuaj vallë që gazetari ishte vet Zeusi (Kryeprokurorë)?!
Nëse unë do të isha drejtuesi i emisionit "Stop", automatikisht do ta pushoja nga puna këtë gazetar ordiner, madje do t'i jepja edhe një dajak të mirë, jo me shpulla, por me shkelma.





