Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikët, ndërmjet datave 4 dhe 7 gusht në rajonin e Prizrenit ka ndaluar 19 persona të dyshuar për posedim/trafikim të narkotikëve, ka thënë për “KALLXO.com” zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

Ai nuk ka dhënë emrat, por “KALLXO.com” ka marrë vesh se në mesin e të ndaluarve është edhe Mentor Shuki, autor i emisionit televiziv “Me SHUKIN”.

Prokurori i rastit, Genc Nixha, ka thënë se në mesin e të ndaluarve me gjasë është edhe një person me emrin Mentor Shuki.

“E kam një në ndalim. Mentor Shuki më duket. Po, në pyetje janë lëndët narkotike. Nesër vendoset çfarë vendoset. Të shohim. Nuk e dimë a do të shkojmë me paraburgim apo jo, por nesër vendoset pasi i kemi ato 48 orët edhe vendosim në kuadër të asaj”, tha Nixha.

E në raportin e saj ditor, Policia ka njoftuar se në Prizren më 6 gusht ndërmjet orës 1:30 dhe 2:50, janë arrestuar katër persona, tek të cilët është gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marijuanë.

Për shkak se Mentor Shuki bashkëpunon me “Gazetën Express”, “KALLXO.com” ka kontaktuar me kryeredaktorin e këtij mediumi, Leonard Kërqukin.

Meqë ishte në pushime, Kërquki tha se nuk është në dijeni për arrestimin e autorit të emisionit “Me SHUKIN”. “Rrjedhimisht nuk mund të them asgjë më shumë”, tha ai.

Kërquki konfirmoi se emisioni “Me SHUKIN” është prodhim i “Gazetës Express” dhe Mentor Shuki është autor.