Nga Mentor Kikia

Bota ka ndryshuar. Madje kjo e jona (bota e medias) është përmbysur. Rrjetet sociale dhe shpërthimi i teknologjisë i ka ndryshuar realitetet mediatike. Kur doli në skenë TV, botuesit e gazetave u tronditën. Por ajo nuk kishte qenë asgjë para tronditjes që tashmë ka pësuar jo thjeshtë forma e medias, por mbi të gjitha cilësia e saj.

Të mos zgjatemi. Madia online është sot më masivja. Me e thjeshta dhe më e depërtueshmja. Shpesh ndeshemi me pyetjen, nëse e kërcënon online-i median tradicionale apo jo? Unë mendoj se media sociale, më shumë se në formë, median tradicionale e kërcënon seriozisht në përmbajtje. 

Çfarë shkruhet dhe çfarë përhapet sot përmes këtyre “mediave”? Shumë pak informacion i nevojshëm, shumë pak kulturë, edukim, shumë pak media dhe shumë, po shumë, llum. Në këto media pothuajse nuk ka standard informacioni, nuk ka filtër redaktimi sa i takon përmbajtjes së “lajmit”. Ka vetëm një njësi matjeje për suksesin e lajmit. LIKE! Kush merr me shumë klikime e pëlqime është lajmi më i mirë. Por çfarë përmban ai, çfarë informacioni përhap? Ah, jo, kjo nuk ka fare rëndësi. “Stresi publikon foton e re me Kallash”- superlajm. 

Media tradicionale nuk mundi të qëndrojë lart, si një standard që të “orientojë” median online, përkundrazi, u ndikua edhe ajo nga etja për të tërhequr lexues, në kushtet kur konkurenca dhe sigurimi i financimeve është një betejë në xhungël.

Por cili është dëmi që po pësojmë? 

Mendoj se janë dy më të rëndët. Shkatërrimi i gazetarisë dhe shkatërrimi(keqedukimi) i shoqërisë. Joseph Pulitzer, më shumë se një shekull më parë, ka thënë: Nje shtyp cinik, mercenar, demagog, me kalimin e kohës do të prodhojë një popull po aq të ulët sa vetja e vet.

Të mos habitemi, me etjen për lexues, ne po ndikojmë aq fort në shkatërrimin e kësaj gjenerate, sa nuk do të ketë gjykatës ta na ndëshkojë në të ardhmen.