Një moment i pakëndshëm i ka ndodhur ish-Kryeministrit të Greqisë Alexis Tsipras, teksa po udhëtonte me aeroplan. Në të njëjtin fluturim nga Brukseli për në Athinë, ishte edhe gazetarja greke Georgia Mpitakou.
Ajo u afrua pranë Alexis Tsipras dhe e akuzoi për Marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit të Maqedonisë së Veriut.
“Keni shitur atdheun tuaj, jeni tradhëtar, duhet të ishit në burg”, i tha gazetarja ish-Kryeministrit grek, përpara se të ndërhynin shoqëruesit e Alexis Tsipras dhe ta largonin.
“Jeni fashist dhe tradhëtari më i keq i atdheut tuaj. Shkatërruat vendin, shitët historinë e të parëve tanë dhe akoma lëvizni i lirë”, iu drejtua gazetarja ish-Kryeministrit.
I ndjerë në siklet nga kjo situatë, Alexis Tsipras u filmua duke bërë një buzëqeshje të sforcuar.