Privatizimi i ish-kompleksit sportiv Partizani ka vënë në pranga dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi.
Gazetarja, Klodiana Lala ka ngritur një pyetje lidhur me atë se cili zv.ministër i kryeministrit Edi Rama është i përfshirë në privatizimin e këtij ish-kompleksi.
“Kush eshte zv.ministri i Rames qe ka perfituar nga privatizimi i ish-kompleksit sportiv Partizani?”, shkruan Lala në rrjetet sociale.
I arrestuari nga SPAK për privatizimin e ish kompleksit sportive partizani është Jamarbër Malltezi. Ndaj tij rëndon akuza për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Berishën.
Gjithashtu, ai dyshohet se në bashkëpunim me ndërtuesin ka konsumuar veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
SPAK pretendon se Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër, ka favorizuar procedurat e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” dhe përfitues i drejtpërdrejtë ka qenë Malltezi.
Në tokën e ish-kompleksit “Partizani”, Malltezi, në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., ka kryer ndërtime dhe përfitimet llogariten në shumën 672 miliardë lekë ose 5 milionë euro.