Spanjë, 2 qershor 2014 – Letizia Ortis Rocasolano është ish gazetarja, e cila ka “vjedhur” zemrën e Princit Felipe në vitin 2003. Ajo do të jetë shumë shpejt mbretëresha e Spanjës.

Ata kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë, para 10 vitesh. Dasma, e cila u transmetua live, u ndoq nga 25 milionë telespektatorë në të gjithë botën.

Tashmë, 42 vjeçarja, pavarësisht ulje-ngritjeve që ka pasur marrëdhënia e saj me ish princin, i cili do të jetë mbreti i ardhshëm i Spanjës, do të kurorëzohet mbretëreshë.

Ka shumë kritika mbi këtë çift, i cili thuhet se nuk ka qenë asnjëherë i konsoliduar, madje, ka edhe nga ata, të cilët thonë se jetëgjatësia e martesës së tyre do të jetë e shkurtër. Në fakt, kjo ngelet për t’u parë në vazhdim.

Paraditen e sotme u bë publik lajmi se mbreti i Spanjës, don Juan Carlos, ka dhënë dorëheqjen. Lajmi u bë i ditur kryeministri i këtij vendi, Mariano Rajoy. 

“Madhëria e tij, Mbreti don Juan Carlos sapo më komunikoi vendimin e tij për të lënë fronin. Shpresoj që në një periudhë kohe të shkurtër gjykatat spanjolle të mund të procedojnë me emërimin si Mbret të atij që sot është Princi i Asturias”, tha kryeministri spanjoll.

76-vjeçari Juan Carlos u ngjit në fronin e Spanjës në vitin 1975, duke marrë pushtetin pas diktatorit Francisco Franco. Ai ka qenë një nga monarkët më popullorë të botës.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/