Mbrëmjen e së premtes, gazetarja e njohur Rezarta Reçi u prezantua në një profil ndryshe para lexuesit durrsak.

E larguar nga ekrani për shkaqe shëndetësore, Reçi ka sjellë vitet e fundit dy romanet “Kolonë zanore” dhe “Zhbërja” si dhe përmbledhjen e intervistave “Në arrati me shpirtra që nuk shuhen”.

Me një lidhje të kahershme me Durrësin, që në fillimet e saj në gazetari, Reçi rrëfeu se vinte çdo ditë me furgon nga Tirana, për të realizuar emisionin e saj “Arratia e peshkut të kuq”.

Dy romanet e saj, të shkruara në celular në orët e vona të mbrëmjeve, i shërbyen Rezarta Reçit si terapi për të mposhtur sëmundjen.

Sociologia Mirjam Reçi dhe gazetari Bashkim Hoxha vlerësuan letërsinë e guximshme të Rezartës, që solli përmes dy romaneve tematika të patrajtuara më parë në letërsinë shqipe.

Në rrëfimin e saj të ndjerë dhe emocional para lexuesve, Rezarta Reçi theksoi se dashuria për jetën ishte një shtysë më shumë për t’ju dedikuar letërsisë.

Në mbrëmjen letrare të organizuar nga Biblioteka Durrës ishin të pranishëm edhe disa nga personazhet e emisionit të saj “Arratia e peshkut të kuq”, të cilët vlerësuan profesionalizmin e saj për të depërtuar në skutat e çdo personazhi dhe për të sjellë atë në një dritë sa më pozitive para teleshikuesve.

Nga rreth 750 personalitete të intervistuar prej saj gjatë viteve të karrierës, Rezarta Reçi kishte përzgjedhur të sillte vetëm ata që nuk janë më në jetë, por që me veprën e tyre nuk shuhen nga memoria kolektive.

M.B.