Gazetat kryesore në Serbi kanë botuar në ballinat e tyre fotografinë e Presidentit amerikan, Donald Trump, me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli.

Mediat serbe, të alarmuara nga mbështetja e rikonfirmuar amerikane për Kosovën, kanë nxjerrë tituj të ndryshëm, duke alarmuar serbët se SHBA-të sërish do ta mbështesin Republikën e Kosovës.

Gazeta “Blic” e ka nxjerrë në ballinë titullin: “Trump-i, shuplakë Serbisë”, ndërsa në artikull ka përmendur të gjitha argumentet dhe deklaratat e lidershipit amerikan në mbështetje të Republikës së Kosovës edhe për anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara por edhe për krijimin e ushtrisë së Kosovës.

“Blic” ka cituar sekretarin amerikan të Mbrojtjes James Mattis, i cili ka thënë se Kosova e meriton ushtrinë.

Ndërsa në të njëjtin artikull, gazeta ka cituar Nikky Haley, ambasadoren e SHBA-së në OKB, e cila ka thënë se Kosova e ka vendin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

 

Gazeta tjetër, “Informer”, në ballinën e saj ka nxjerrë titullin: “Trump-i shqiptar?”, ndërsa në brendësi të saj ka dhënë detaje të mbështetjes amerikane për Kosovën.

Gazeta “Kurir” ka dalë në ballinën e saj me titullin “Ofensiva e Kosovës në Amerikë”, ndërsa gazeta “Danas” po ashtu i ka kushtuar një faqe të plotë takimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

Ditë më parë, kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka paralajmëruar qytetarët e Serbisë se lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh udhëheqës i Kuvendit, po forcohet dhe siç ka thënë ai, kjo është gjë e keqe për Serbinë.