TIRANE, 24 mars 2013- FRD-ja beson se më 23 qershor do të shndër rohet në një forcë politike, e cila do të diktojë vendimmarrjet e rëndësishme politike në vend. Një prej figurave qendrore të saj, Gazmend Oketa thotë për “Gazeta Shqiptare” se nuk do të jetë LSI-ja, por FRD-ja forca përcaktuese e qeverisjes së 23 qershorit. Z. Oketa tregon synimet e FRD-së dhe kushtet që ajo ka për të bërë koalicion me të. Sekretari i përgjithshëm i FRD-së përmend se çdo forcë politike, e cila ka moralin politik, është e orientuar drejt qendrës së djathtë, nuk mban kosto korrupsioni apo keqqeverisje mbetet një opsion i hapur për koalicion me FRD-në. 

Deputeti Oketa, i cili beson se kanë kaluar 4 vite dhe si skena politike, ashtu edhe qytetarët kanë evoluar që nga zgjedhjet e 2009, tregon arsyet se pse FRD shmang aleancat me PS-në dhe PD-në ndërsa nuk fsheh faktin se pas largimit të Berishës, nuk dihet se çfarë do të ndodhë me partinë e tij. Sa i përket mundësisë së një poli të tretë, z. Oketa nuk e sheh atë si një opsion të hapur për FRD-në, duke lënë të kuptohet se kjo parti do të garojë e vetme në zgjedhjet e 23 qershorit. 

Z. Oketa, Si po ecën fushata e FRD-së dhe ku po përqendroheni më tepër gjatë takimeve që po zhvilloni në shkallë vendi? 

Deri më tani gjithçka po ecën me ritmin e duhur dhe në rrugën e duhur. Programi që ne kemi prezantuar para qytetarëve shqiptarë duket se është mirëpritur dhe vlerësuar pozitivisht nga ata. Sigurisht që ne vazhdojmë punën për konsolidimin e strukturave të FRD-së, por edhe kontaktet e vazhdueshme me qytetarët për të marrë prej tyre dhe opinione apo sugjerime lidhur me programin tonë. Tashmë i jemi afruar fazës finale, asaj të përgatitjeve për zgjedhjet e 23 qershorit, ku FRD do të garojë në të gjitha qarqet e Shqipërisë me 140 kandidatët e saj. 
 

Cilat janë pikat kryesore të programit të FRD-së, me të cilat pretendoni të joshni qytetarët më 23 qershor? 

Programi i FRD-së nuk pretendon t’i joshë qytetarët për të na votuar, por ai pretendon t’u japë zgjidhje afatgjatë disave nga problematikat kryesore që shqetësojnë shoqërinë shqiptare, duke i bërë qytetarët pjesë e hartimit të këtij programi, por edhe mbështetës të tij. Ky program është produkt i punës disamujore të 19 departamenteve të ngritura pranë FRD dhe përfshin në të mendimet e disa prej ekspertëve më të mirë të fushave përkatëse. I gjithë programi është ndërtuar me filozofinë e sloganit të FRD, “Për Shtetin dhe Qytetarët”. Shtyllat kryesore janë ajo e propozimeve për ndryshime kushtetuese, me qëllim garantimin e pavarësisë së institucioneve të shtetit shqiptar, ajo e reformave ekonomike, për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit, prona, shëndetësia, arsimi, zgjidhja e kompensimit të të përndjekurve dhe një vend të veçantë zë dhe rinia, e cila ka nevojë për hapësira për të treguar aftësitë dhe energjitë e saj. 
 

Pse nuk bëni aleancë as me PD-në dhe as me PS-në? 

Fakti që flitet shumë dhe kërkohet që FRD të pozicionohet në një koalicion është një konfirmim i faktit se FRD tashmë është një forcë politike e rëndësishme në skenën politike shqiptare dhe se ajo do të jetë një forcë e rëndësishme në vendimmarrjet politike dhe qeverisëse pas 23 qershorit. Ne jemi deklaruar dhe i qëndrojmë deklarimit se nuk bëjmë koalicion me dy forcat e tranzicionit të tejzgjatur shqiptar. Koalicioni ynë do të jetë koalicioni me qytetarët shqiptarë, të cilët kërkojnë ndryshim, kërkojnë rotacion politik dhe qarkullim të elitave politike. Një erë e re duhet të nisë në politikën shqiptare dhe kjo në dobi të qytetarëve shqiptarë. 
 

Në një dalje televizive, kreu i FRD-së, Bamir Topi nuk e përjashtoi mundësinë e një aleance me PD-në, por pa Berishën. Çdo të thotë kjo? 

Po përsëris të njëjtën përgjigje që kam dhënë para pak ditësh për të njëjtën pyetje. Edhe unë në një dalje televizive të para pak javëve, kam dëgjuar zonjën Topalli të shprehet se “z. Berisha është partia”. Kisha që nga koha e Enver Hoxhës pa e dëgjuar këtë shprehje. Kjo e vështirëson dhënien e një përgjigjeje të saktë, pasi nuk mund të parashikosh se çdo të ndodhë me atë parti pas largimit të z. Berisha. 
 

Cila nga partitë humbet në mungesë të një aleance me FRD-në? 

Është për të ardhur keq që tek ne bëhen më parë llogaritë e partive politike, kur në fakt duhet të bëhen llogaritë e interesave të qytetarëve shqiptarë. Përpjekjet tona si forcë politike nuk janë për të forcuar pushtetin e partive politike, cilado qoftë ajo, por për të dhënë kontributin tonë për ndërtimin e shtetit, shtetit të të gjithë shqiptarëve, të atyre me apo pa përkatësi partiake. Për ne ka interes nëse nga veprimet tona fitojnë qytetarët shqiptarë dhe politika shqiptare. 
 

Cilat janë kushtet e FRDsë për një koalicion me të? 

Më lejoni të bëj një sqarim. Si një forcë e re e qendrës së djathtë dhe një forcë e moderuar, ne nuk jemi kundër koalicioneve apo bashkëpunimit me forca të tjera politike, përkundrazi. Por ne nuk jemi për koalicione të ndërtuar thjesht mbi llogari matematikore, të cilat i dikton Kodi Zgjedhor. Së pari, llogaritë e vitit 2013 nuk bëhen bazuar mbi rezultatet zgjedhore të vitit 2009. Kanë kaluar 4 vite dhe si skena politike, po ashtu edhe qytetarët shqiptarë kanë evoluar e ndryshuar që nga ajo kohë. Çdo forcë e cila ka moralin politik është e orientuar drejt qendrës së djathtë, nuk mban kosto korrupsioni apo keqqeverisje, mbetet një opsion i hapur. Çdo forcë tjetër e cila nuk përmbush këto kushte, nuk mund të jetë pjesë e projektit politik të Frymës së Re Demokratike.

/Gazeta Shqiptare/