Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, iu përgjigj nga foltorja e Kuvendit Gazment Bardhit, i cili i kërkoi kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi të ushtrojë përgjegjësinë e tij për të mundësuar përfshirjen e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në seancën plenare të radhës.

Balla teksa nuk ishte i qartë sesi e ka emrin zoti Bardhi, i kujtoi këtij të fundit se Kuvendi nuk merr urdhra por vepron në bazë të rregullave.

Një draft që depozitohet, dy javë ndjek procedurën parlamentare, tha ai.

“Ka një histeri ndaj opozitës parlamentare nga opozita e jashtme që ju tradhtuat parimet e Lulit dhe të Monikës. I bëj thirrje opozitës jashtëparlamentare meqë kishte dalë një zotëri Gazment apo Gazmir Bardhi që jepte urdhër që Kuvendi i Shqipërisë dhe zoti Ruçi të fusin në rend të ditës votimin e kodit zgjedhor. Ky zotëria duhet të dijë që Kuvendi ka rregulla. Një draft që depozitohet, dy javë ndjek procedurën parlamentare. 

Padyshim që Kuvendi do ta shqyrtojë sipas të gjitha normave parlamentare. PS e ka thënë se jemi seriozë kur bie fjala për të respektuar marrëveshjen, sikurse jemi seriozë edhe për nevojën për ta diskutuar së bashku me opozitën parlamentare jo vetëm çështjen që lidhet me kodin zgjedhor e ku dakordësia politike është vendosur, por edhe për çështjen që lidhet me ndryshimet e propozuara prej jush në Kushtetutë që kanë të bëjnë me disa elementë të rëndësishëm të sistemit zgjedhor edhe pse sistemi nuk ndryshon.”