TIRANE, 07 mars 2013– Ndërsa Shqipëria është në pritje të vendimit për rrugën që do të kalojë gazësjellësi i koridorit të jugut nga Azerbajxhani në Evropë, në një analizë të Zërit të Amerikës mes dy ekspertëve del në përfundimin se projekti i NABUCO është më i konsoliduar.
Në lojë janë dy projekte konkurrente TAP-i dhe Nabucco West. Në këtë përballje interesash janë dy grupe vendesh Greqia, Shqipëria dhe Italia, ndërsa në tjetrën Bullgaria, Rumania, Hungaria dhe Austria. Secili grup shtetesh kërkon që gazsjellësi i Korridorit të Jugut i cili do të shkojë nga vendburimi Shah Deniz i Azerbajxhanit deri në Evropë të kalojë nëpërmjet territorit të tyre.
Sipas profesorit të universitetit Columbia në Nju Jork, Jenik Radon thotë se edhe qëndrimi zyrtar i Shteteve të Bashkuara të cilat shprehen se nuk kanë asnjë preferencë lidhur me çështjen e zgjedhjes midis TAP-it dhe projektit Nabucco West ka të bëjë me vlerësime ekonomike e tregtare. Gianfranco Lizza, profesor i Gjeopolitikës në universitetin Sapienza të Romës mendon gjithashtu se aspektet ekonomike do të jenë vendimtare, pasi, sipas tij, interesat gjeopolitike të përfshira nuk do të jenë në gjendje të kenë shumë ndikim tek vendimi i kompanive partnere. Për sa i përket shanseve të secilit projekt për t’u zgjedhur, të dy ekspertët janë të mendimit se Nabucco West ka avantazhe ndaj TAP-it.
Radon thotë se ende nuk është e qartë se cila nga dy alternativat do të fitojë, por sipas tij vendet e projektit Nabucco Ëest kanë përparësi, sepse kërkesa e konsumatorëve në atë zonë është më e lartë.
“Është e qartë se rruga veriore (Nabucco West) shkon në “zemër” të Evropës, që ekonomikisht është pjesa e shëndetshme e kontinentit në këtë moment dhe përbën pjesën dinamike të tij. Gjermania është duke u kthyer shumë më tepër drejt gazit nga çka bërë në të kaluarën, pasi kjo do të ulte varësinë e saj ndaj energjisë bërthamore dhe qymyrit. Pra vendet me kërkesëm më të lartë të gazit janë Gjermania, Austria dhe në një shkallë më të vogël Polonia, Republika Çeke dhe Hungaria. Këto vende përbëjnë zona shumë të qëndrueshme ekonomike. Kjo do të thotë se kërkesa atje do të rritet me kalimin e kohës.
Profesor Gianfranco Lizza përqëndrohet tek veprimet tregtare të mundshme të kompanive të Shah Denizit dhe tek problemet me të cilat përballen vendet e TAP-it.
“Besoj se projekti Nabucco West ka më tepër shanse për t’u realizuar sepse konsorciumi që po administron vendburimin e Shah Denizit po konsideron t’iu shesë një pjesë të paketës së aksioneve kompanive ndërkombëtare që menaxhojnë projektin Nabucco Ëest. Për këtë arsye mendoj se shtetet në të cilat kalon Nabucco West mund të veprojnë më konkretisht. Ndërsa shtetet e përfshira në projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik – Greqia, Shqipëria dhe Italia – kanë disa pengesa, përveç se dhe një peshë gjeopoltike të vogël.
Ekspertët thonë se vendet e përfshira në projektet konkurrente TAP dhe Nabucco West duhet të kryejnë të gjitha lëvizjet e duhura, nëse dëshirojnë që “skuadra” e tyre të mund të fitojë. Por sipas tyre rezultati i përballjes do të përcaktohet nga interesat ekonomike të kompanive që zotërojnë projektin Shah Deniz II në Azerbajxhan.