TIRANE – Ministria e i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës njoftoi se në kuadër të projektit TAP (Trans Adriatic Pipeline), ditën e martë, datë 15 Janar 2013, ora 10:00, Zv/ Kryeministri dhe Ministri i METE-s, Edmond Haxhinasto, do të nënshkruajë Marrëveshjen e Bashkëpunimit për Furnizimin me gaz me kompaninë zvicerane Axpo Trading Ag. Mësohet se nënshkrimi i marrëveshjes do të bëhet në ambientet e METE-s. 

Projekti i ndërtimit të gazsjellësit TAP në Shqipëri ka kaluar fazat e negocimit dhe pritet firmosja përfundimtare mes konsorciumit dhe qeverisë shqiptare si dhe me shtetet fqinje ku do të kalojë, Itali dhe Greqi. 

Aktualisht aksionerët e TAP, si kompania "Rurhr Gaz", "Eon" dhe "Statoil", po kryejnë studimet teknike në tokë dhe det të hapur për të përcaktuar gjurmët se ku do të kalojë tubacioni në Shqipëri. Ky projekt i rëndësishëm i cili do të furnizojë konsumatorin evropian me gaz më çmim të arsyeshëm ka gjetur mbështetje të madhe nga BE. 

Vendimin për përzgjedhjen mes dy grupeve TAP dhe Nabucco se cili do të ndërtojë linjën e gazit nga fusha 2 e Shah Deniz në detin Kaspik në Europë do ta marrë konsorciumi Shah Deniz në Azerbajxhan. Aksionerë të këtij konsorciumi janë shteti Azer, kompania angleze ‘British Petroleum” që ka pjesën kryesore të aksioneve, kompania norvegjeze ‘Statoil’ dhe “Total” e Francës.