DURRES, 24 prill 2013 – Genc Juka do të jetë prefekti i ri i Durrësit. Juka zëvendëson në këtë detyrë prefektin e mëparshëm Genci Alizoti, i cili dha dorëheqjen pas nënshkrimit të marrëveshjes mes PS dhe LSI për të dalë në zgjedhje si pjesë e një koalicioni të përbashkët.
Vendimi për emërimin e Genc Jukës në postin e prefektit u mor ditën e sotme në mbledhjen e qeverisë.
Në vendim thuhet se “në mbështetje të neneve 100 e 114, të Kushtetutës, dhe të nenit 4, të ligjit nr.8927, datë 25.7.2002, “Për prefektin”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi që Genc Juka të emërohet prefekt i qarkut të Durrësit. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.
Përpara emërimit në këtë post Genc Juka ka qenë këshilltar i ministrit të bujqësisë dhe kreu i AKU-së. Juka gjithashtu ka qenë deputet i qarkut të Durrësit në periudhën 2005-2009.





