TIRANE, 6 janar 2014 – "Mos prek gra dhe fëmijë… Qëndro larg tyre…” Me këto fjalë i drejtohet Prelë Pjetrushit Genci Tafili, vëllai i Admir Tafilit dhe xhaxhai i 12-vjeçarit të cilit i bënë atentat në Suedi, ku qëndron si azilant politik. Përmes një telefonate të bërë nga kabina telefonike në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, ku vuan dënimin me 25 vite për bashkëpunim në vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit, Genci Tafili, me zërin që i dridhet, shprehet se jeta e pjesëtarëve të familjes së tij dhe të vëllait, Admirit, është në rrezik. Edhe pse nuk ka të dyshuar konkret për krimin e ndodhur në Suedi, Tafili bën përgjegjës Prelë Pjetrushin, ish-zyrtar i lartë i policisë, i cili sipas tij është shkaktar i të gjitha fatkeqësive që kanë ndodhur në familjen e tij që prej fillimgushtit të vitit 2000. “Prelë Pjetrushi më masakroi familjen. Më vranë babën para syve. Më dënuan për vrasjen e Arben Zylyftarit, ngjarje e cila nuk u zbardh kurrë. I bëj thirrje të qëndrojë larg fëmijëve e grave. I bëj thirrje shtetit të zbardhë të vërtetën e vrasjes së Arben Zylyftarit”, – rrëfen Genci Tafili.
Z.Tafili, si është e vërteta e tentativës së vrasjes të nipit tuaj 12-vjeçar?
Unë ndodhem në burg me një dënim prej 25 vitesh. Nuk di se çfarë ka ngjarë. Gjithçka e kam mësuar përmes medias dhe jam mëse i shqetësuar. Unë kam mbajtur kontakte me familjen. Kam komunikuar me letra deri më datë 31 dhjetor 2013. Më pas, nuk kam mundur të kontaktoj me ta dhe kjo më shqetëson. Besoj e kuptoni gjendjen time, po më ikën mendja nga e gjitha çfarë kam dëgjuar.
Ku ndodhet familja juaj dhe e vëllait, Admirit?
Kanë ikur jashtë vendit, pasi nuk ishin të sigurt në Shqipëri, për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur, që prej ditës që na vranë babën në derën e shtëpisë.
Admiri, e ka mësuar lajmin për plagosjen e të birit?
Admiri është në paraburgim dhe mbahet i izoluar. Ka pasur mundësinë të më bëjë një telefonatë, sikurse parashikojnë rregullat e burgut. Është mëse normale të ndihesh keq, kur të prekin familjen, e për më tepër një fëmijë vetëm 12 vjeç.
Autoritetet shqiptare kanë pranuar për “GSH” që nipi juaj është plagosur. Ju si xhaxha i tij, kë bëni përgjegjës?
Vetëm një njeri. Ai është Prelë Pjetrushi. Është shkaktari i të gjitha fatkeqësive dhe ngjarjeve të hidhura në shtëpinë tonë. Por i bëj thirrje të qëndrojë larg fëmijëve dhe grave. Ai gjithmonë është marrë me gra e fëmijë. I them “mos prek fëmijë e gra”. Nuk është burrni me prek fëmijë e gra. Ne kemi pasur mundësi të bëjmë gjithfarë ngjarjesh, me i prek fëmijët, por s’e kemi bërë. Janë të pafajshëm.
Ju dhe vëllai ndodheni në burg dhe nuk keni asnjë mundësi të qëndroni pranë familjeve. Keni frikë se mos jetës së tyre u kanoset ndonjë rrezik?
Po, kam shumë frikë. Familjet tona kanë ikur nga Shqipëria për shkak se u rrezikohej jeta. Kam frikë për jetën e tyre. Por i bëj sërish thirrje Prelë Pjetrushit: Qëndro larg tyre.
Po ju personalisht, ndiheni i rrezikuar në burg?
Nuk kam frikë për jetën time. Dihet për cilën ngjarje jam dënuar. Po bëj një dënim që nuk e meritoj. I bëj thirrje shtetit të hapë dosjen e vrasjes së Arben Zylyftarit dhe të zbardhë ngjarjen. Nëse vërtetohet që unë kam gisht në vrasjen e tij, le të më dënojnë me burgim të përjetshëm. E kam kërkuar gjithmonë rihapjen e dosjes dhe asnjëherë fjala ime nuk është dëgjuar. Mua më vranë babain, më kanë masakruar familjen. Djali i Admirit, prej vitit 2000 është sëmurë. Nëna vuan nga zemra. Nusja e Mirit po ashtu u sëmur nga ngjarja e rëndë. Prelë Pjetrushi vuri dorë dhe mbi gra e fëmijë. Në fund më shkatërruan dhe shtëpinë me eksploziv. Ja po ju pyes dhe juve: Kush është ai që nuk reagon kur i preket familja? Gjithkush reagon.
/GSh /





