Nga Andi Bushati

Opozita po bie pre e bestytnisë naive sipas së cilës mashtrimi i pushtetit mposhtet me një gënjeshtër edhe më të madhe. Të gjithë udhëheqësit e saj po sillen sikur besojnë vërtet se, në 13 tetor, do të zhvillohen zgjedhjet lokale të dekretuara nga presidenti, bashkë me ato të parakohshmet të propozuara nga ai.

Në pamje të parë të gjithë faktorët kryesorë anti Rama duket sikur kanë leverdi nga ky mashtrim.

I pari Ilir Meta kujton se ruan nderin presidencial, nëse ata që përfaqësojnë shumicën e elektoratit shqiptar, e respektojnë datën e ricaktuar prej tij. Ai shkon dhe më tej, duke prodhuar një fabul të pa kapërdishme që lë të kuptohet, se një javë më pas, mund të hapim negociatat, nëse atë të dielë mes tetori zhvillojmë një garë elektorale model.

Nga ana tjetër, Lulzim Basha po e përdor këtë datë sipas modelit të njeriut që të gënjen edhe kur e pyet për orën. Ai po luan me atë, nga njëra anë për të qetësuar kryebashkiakët të cilëve i'u betua se nuk do të linte t'i nxirrnin nga zyra dhe nga ana tjetër për të qetësuar ata që i mprehu se do ta shkallmonte përdhunshëm të dielën e 30 qershorit.

Por, këmbëngulja tek ky mashtrim, pavarësisht hedhjes imediate të lumit, e dëmton opozitën. Sepse zgjedhjet pas tre muajsh nuk i leverdisin asaj, as praktikisht dhe as moralisht.

Nga këndvështrimi utilitar PD dhe LSI që dogjën mandatet dhe bojkotuan zgjedhjet lokale pretendojnë se e bënë këtë harakiri për arsye madhore. Sipas tyre, zgjedhjet me Ramën kryeministër, të mbështetur nga bandat kriminale, nga oligarkët e PPP-ve dhe nga mediat e kapura, nuk kishin kuptim. 

Po a mund të shpërbëhet ky oktapod deri në mes të tetorit?  Edhe sikur Rama ta linte sot zyrën e tij të stolisur me flutura (gjë që nuk ka gjasa të ndodhë), ky do të qe një mision i pamundur. Çlirimi nga tentakulat mafioze të narkopushtetit që ka kapur shtetin, lyp shumë më tepër mund edhe kohë. Prandaj qoftë dhe për interesin e ngushtë vetjak, opozitës nuk i volisin zgjedhje kaq të shpejta.

Por, aq më pak, ato shkojnë paralel me pritshmërinë e publikut. Edhe sikur të imagjinojmë të paimagjinueshmen, që në 13 tetor të zhvillohen zgjedhje dhe Edi Rama të humbasë pushtetin përmes votës, kjo nuk është në interes të askujt. E ç’do i duhej kjo një shqiptari të thjeshtë? Ç’do i leverdiste atij këmbimi i karriges së Ramës me Bashën, apo që ky i fundit të përfitonte nga i njëjti ligj elektoral, ku kryetari i partisë me lista të mbyllura vendos për gjithçka? Ç’do i duhej atij, sërish, një monark i zgjedhur, ashtu siç e konceptojnë, kryeministrin tonë, ndryshimet kushtetuese të 2008? Ç’do ndryshonte për të, pa ashpërsuar ligjin e financimit të partive që i shndërron automatikisht donatorët e politikës në klientë të PPP-ve të pushtetit?

Pra, për të gjitha këto, madje dhe për shumë të tjera, zgjedhjet e menjherëshme shkojnë në dëm të interesit publik. Ato nuk kanë kuptim nëse nuk vijnë pas një ndryshimi radikal të sistemit.

Pikërisht për këto dy arsye, sa utilitare dhe morale, opozita po bën një gafë të panevojshme duke këmbëngulur tek 13 tetori. Ai as ka për të ndodhur dhe mbi të gjitha as duhet të ndodhë.

Natyrisht, udhëheqësit e saj e dinë këtë. Ata janë të ndërgjegjshëm se në 90 ditë, as nuk marrin garanci për garë të ndershme dhe as nuk kanë kohë për të shtuar simpatinë e publikut.

Megjithatë, në mënyrë naive dhe qorre, ata po e përdorin 13 tetorin, sa për të përkëdhelur egon e tyre, po aq dhe për të manipuluar zyrtarët dhe militantët që i ndjekin nga pas.

Por duke u sjellë kështu ata po bien në një kurth të papritur: në bestytninë se pushteti i një mijë e një mashtrimeve, mposhtet me gënjeshtra edhe më të mëdha, duke harruar se është shumë e vështirë që e keqja të mundet nga e singjashmja e vet. Madje edhe në ato raste që ndodh, ajo prodhon të njëjtin efekt. /Lapsi.al