Dy aktorët e njohur të ish-grupit "SHBLSH", Julian Deda dhe Gentian Zenelaj, prej kohësh nuk flasin më me njëri-tjetrin dhe asnjëherë më parë nuk kanë thënë diçka publikisht rreth kësaj teme.
I ftuar në emisionin "Thumb", Genti vendosi të thyej heshtjen teksa ka folur për arsyet që çuan në prishjen e miqësisë mes tij dhe Julit. Ai ka treguar se me Julin ka pasur hatërmbetje për shkak të statuseve. Julin e ka pasur një njeri të afërt dhe aktori është shprehur se kur të mërzisin njerëzit e afërt ndihesh i vrarë brenda vetes.
Por pakënaqësitë e mëdha filluan që prej largimit të Ermalit nga “Apartamenti 2xl”. Organizatorët dëshironin që Ermalin ta zëvendësonin me Albanon dhe Genti nuk ishte aspak dakord me këtë gjë.
"Në qoftë se një ditë do të ketë “SHBLSH”, ata do jenë Gentian Zenelaj, Julian Deda dhe Ermal Mamaqi. Askush tjetër! Sa herë që tentonin të fusnin Albanon mua më krijohej konflikt. U thoja: SHBLSH-at lëri, krijo 'Apartamentin 2xl'. Isha lodhur me televizionet ku paguhesha pak, ku vonohej rroga. E pashë veten 10 vjet në televizion dhe s’isha i zoti të paguaja kredinë. Pastaj erdhi Agon Channel. U thashë le të ngelemi miq, nuk e panë kështu. Më thanë o me ne, o me ata. Unë vazhdova jetën time ata të tyren," –ka përfunduar Genti.
Kur është pyetur për një rikthim të SHBLSH-ave, tani që të tre çunat janë në të njëjtin televizion, Genti është shprehur se ka një emision me Saimirin, por kurrë nuk duhet thënë kurrë, duke e lënë të hapur mundësinë e një ribashkimi të grupit të famshëm të humorit.





