Drejtorja e Autoritetit të Dosjeve Genta Sula tha se një ndër shqetësimet kryesore të publikut është pikërisht sa dosje mungojnë.
Në një intervistë për emisionin “Now”, ajo tha se janë asgjësuar gjatë ndërrimit të sistemeve dosjet e atyre personave që i përkisnin krimeve politike dhe nuk u quajtën më krime politike.
“Unë them se ajo që dihet është që janë bërë asgjësime gjatë gjithë kohës, si në çdo arkivë, jo çdo gjë mbahet. Janë mbajtur arkiva për dy qëllime, së pari për rëndësi historike, e dyta për rëndësi operative”, u shpreh Sula.
Megjithatë, Sula bëri me dije se ka 2.2 kilometra materiale që mundësojnë realizimin e ligjit, pra njerëzit informohen për çfarë ka dhe çfarë jo. Sipas saj, informacionet në dispozicion tregojnë dhe mënyrën se si ka funksionuar Sigurimi i Shtetit.