DURRËS, 21 gusht 2014 – Një durrsak në Itali që ka interpretuar me violinë për dy Etër të Shenjtë (Papa Gjon Pali XXIII, Papa Benedikti XVI), i cili ka shëtitur botën (SHBA, Brazil, Portugali, Gjermani, Zvicër, Spanjë, Hungari, Angli, Republika Çeke, Japoni, Kore e Jugut, Kosta Rika, Honduras, Afrikë e Jugut, Belgjikë), megjithatë pak i njohur për bashkëqytetarët e tij, quhet Gentjan Llukaçi dhe do të dalë para italianëve në një koncert më 22 gusht 2014.
Shtypi italian bën të ditur se në SlowFlute Festival në Salone Terme Berzieri të bashkisë Salsomaxhiore Terme, në Italinë e Veriut (provinca e Parmës, rajoni i Emilia Romanjës), të premten, më 22 gusht 2014, ora 21:15 do të jepet koncerti “Këngët e Mare Nostrum” nga Trio D’autore (vokal Sara Gasparini, violinë Gentjan Llukaçi, fizarmonikë Claudio Ughetti, në dy fotot).
Në mediet e Apenineve vlerësohet lart karriera artistike e violinistit durrsak Gentjan Llukaçi, që merr pjesë në këtë koncert, koncert, i cili është udhëtim muzikor nëpër kulturat muzikore të vendeve që kufizohen me oqeanin në Mesdhe, nga Argjentina, në Meksikë, nga Spanja në Francë, Itali, dhe Ballkan, me një parantezë kushtuar kulturës hebraike, në lëvizje të përjetshme.
Muzika është vend pa kufij, muzika do të jetë vend dialogu, kulture dhe shprehjeje.
Një melodi hebre, një tango argjentinase, një këngë ballkanase, një këngë autori francez të shekullit të nëntëmbëdhjetë, një poezi kiliane, të shkurtra, emocione të ndryshme përmes të kënduarit bukur dhe atmosferës së Parisit në shekullin e nëntëmbëdhjetë.
Ndërkaq në Facebook 55-vjeçari Gentjan Llukaçi ka postuar me dhjetëra foto të të atit, skulptorit të njohur shqiptar, me aq gjurmë arti në Durrës e në atdhe, Nelo Llukaçi (në foton e fundit: në plan të dytë).
Info / Gentjan Llukaçi
I lindur në vitin 1969, filloi të studionte për violinë në moshën 6 vjeç në shkollën e mesme artistike “Mujo Ulqinaku (sot “Jan Kukuzeli”) në Durrës, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera.
Fitoi konkursin dhe përfundoi me rezultate të larta Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë në vitet 1987-1991.
Merr pjesë në veprimtari të dendura koncertore me orkestrën simfonike të Durrësit dhe orkestrat e muzikës së dhomës së Durrësit e Tiranës; në Durrës ka interpretuar si solist në koncerte të ndryshme.
Në vitin 1990 është pjesë e Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar me violinat e para.
Merr pjesë dhe fiton një konkurs në orkestrën e Operës dhe Baletit në Tiranë, ku ekzekuton në opera, opereta dhe balete të ndryshme.
Në vitin 1992 shkon në Itali dhe merr pjesë në Konkursin Ndërkombëtar "Rodolfo Lipizer" dhe punon me orkestra të ndryshme për tre vjet.
Në vitin 1994 bëhet profesor i violinës në Institutin muzikor të Riccione-s.
Interpreton me violinat e para të Orchestra Marchigiana të Ankona-s në qytete të ndryshme italiane.
Në nëntor 1994, bashkë me Achille Galasi, formojnë një duo me violinë dhe violë dhe luan në Savignano në Rubikon.
Në vitin 1995 merr pjesë në konkursin për l’Orchestra Giovanile Italiana në Valli Teatro në Rexhio Emilia.
Vendoset në Sasuolo dhe jep mësim violinën në shkollën e muzikës “O. Pistoni”, ku vazhdon ende.
Në vitin 1996 bashkëpunon me Corale Puccini në teatrin Carani në Sassuolo.
Koncerte të tjera pasuan në qytete të tjera italiane.
Është anëtar i orkestrës filarmonike Estense në Modena.
Në vitin 2002 luajti për Papa Gjon Pali XXIII në Aula Magna në Vatikan.
Në vitin 2006 luajti për Papa Benedikti XVI në një audiencë private.
Zhvillon veprimtari të dendur koncertore, duke bashkëpunuar me shumë muzikantë, si me kitaristin Andrea Candeli e pianistin Denis Biancucci, në formacione të ndryshme në shumë qytete italiane.
Që nga viti 2009 është pjesë e Ensemble d’Autore, duke marrë pjesë në duo, trio dhe kuartet në festivale të ndryshme të muzikës në Italinë e Veriut si Echi Musicali, La Valigia dei Suoni, Ribalta Marea, Festival Ultrapadum, I Giovedì al Giardino Ducale, Lama Musica Festival, Il Salotto in Piazza në periudhën e verës.
Me Ensemble d’Autore ka interpretuar në teatro të ndryshme italiane duke korrur sukses të madh.
Është pjesë e Gruppo Amarcord, jep koncerte në vende të ndryshme: SHBA, Brazil, Portugali, Gjermani, Zvicër, Spanjë, Hungari, Angli, Republika Çeke, Japoni, Kore e Jugut, Kosta Rika, Honduras, Afrikë e Jugut, Belgjikë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





