“Ne nuk do të fitojmë në nëntor me këtë president”, ka shkruar Clooney në The New York Times
Ylli i Hollivudit, George Clooney i ka bërë thirrje presidentit Joe Biden që të tërhiqet nga gara për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se ai nuk ka asnjë lidhje me Joe Biden e vitit 2010 dhe as të 2020.
Clooney, një demokrat i përjetshëm, shkroi një kolumnë në New York Times, që ju sjell noa.al, tre javë pasi ishte në shoqërinë e Presidentit Biden në një event për mbledhjen e fondeve.
“Biden nuk mund ta fitojë betejën e tij kundër kohës. Askush nga ne nuk mundet. Është e tmerrshme ta thuash, por Joe Biden me të cilin u shoqërova tre javë më parë në një mbledhje fondesh nuk ishte Joe Biden i vitit 2010. Nuk ishte as Joe Biden i vitit 2020. Ai ishte i njëjti person që pamë në debat”, shkroi Clooney në New York Times.
Aktori ishte një nga protagonistët e mbledhjes së fondeve në Los Angeles ku Joe Biden mori pjesë, pak kohë pas mbledhjes së G7-ës.
“Unë e dua Joe Biden. Si senator. Si nënpresident dhe si president. E konsideroj mik dhe besoj tek ai – vazhdon Clooney.
Unë besoj në karakterin e tij. Besoj në moralin e tij. Në katër vitet e fundit ai ka fituar shumë nga betejat me të cilat është përballur.
Por e vetmja betejë që nuk mund ta fitojë është ajo kundër kohës. Ky nuk është vetëm mendimi im: ky është mendimi i çdo senatori, kongresisti dhe guvernatori me të cilin kam folur privatisht”.
“Ne nuk do të fitojmë në nëntor me këtë president”, theksoi Clooney.
Të hënën e kaluar, edhe mjeshtri i letrave, Stephen King, një nga shkrimtarët më të famshëm në botë, e kishte ftuar Biden të bënte një hap prapa: “Joe Biden ishte një president i mirë”, tha King në një mesazh për të gjithë amerikanët, – por ai duhet të largohet nga gara për rizgjedhje në Shtëpinë e Bardhë”.
Përpjekja për rizgjedhje e zotit Biden është zhytur nën një vëzhgim intensiv që nga një performancë katastrofike në debat me Donald Trump muajin e kaluar.
Presidenti, 81-vjeç, deri më tani i ka rezistuar thirrjeve për të dhënë dorëheqjen, duke përfshirë disa në partinë e tij, duke thënë se ai është i “përkushtuar fort” për të qëndruar në garë – dhe duke u kërkuar kolegëve të tij demokratë që të ndalin debatin.