TIRANE, 12 shkurt 2013 – Nesër pritet që Gjykata e Apelit e Tiranës të shprehet mbi çështjen e Gërdecit. Vetëm pak ditë pasi Gjykata e Tiranës nxorri të pafajshëm të akuzuarit për 4 vrasjet e 21 janarit, një tjetër shkallë e gjyqësorit pritet të japë një tjetër vendim të rëndësishëm për një nga çështjet më të bujshme në vend.
Ndërsa vendimi për çështjen e 21 janarit nxiti reagime të shumta nga ana e opozitës, shoqërisë civile dhe diplomacisë së huaj, pritet tashmë me interes vendimi për 29 të akuzuarit e tragjedisë së rëndë të Gërdecit.
Vendimi i formës së prerë të Gjykatës së Apelit pritet të jepet nesër në orën 15.00. Vendimi do të shpallet nga treshja gjykuese Alaudin Malaj, Gent Shala dhe Shkëlqim Miri.
Prokuroria i ka kërkuar gjykatës që të deklarojë 28 persona fajtorë, mes të cilëve edhe shoqërinë “Albademil”. Mes të akuzuarve janë ish-funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Ndërkaq avokatët e të pandehurve kanë kërkuar pafajësi.





