TIRANE, 13 shkurt 2013 – Gjykata e Apelit ka dhënë vendimin për 29 të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit. Gjykata ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë me disa ndryshime.
Sipas vendimit të sotëm, Delijorgit dhe Minxollit i ulet masa e dënimit. Besnik Dauti dënohet me tre vjet burg, ndërkohë që Shpëtim Spahiu shpallet i pafajshëm. Sipas vendimit të treshes gjykuese Alaudin Malaj, Gent Shala dhe Shkëlqim Miri ulet dënimi me 1/3 për Minxollin dhe Delijorgjin, ndërsa për Ylli Pinarin u vendos vetëm 10 vjet burg.
Në bazë të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Ylli Pinari u dënua me 18 vjet burg, ndërsa Minxholli dhe Delijorgji me 10 vjet burg.
Një seancë më parë, vendimi u shty me arsyetimin se dosja e kësaj çështje është shumë voluminoze dhe shqyrtimi i saj kërkon më shumë kohë. Vendimi që u shpall sot është i formës së prerë, çka do të thotë që është i ekzekutueshëm menjëherë pas shpalljes.
Sipas prokurorëve të Apelit, të akuzuarit Ylli Pinari, Dritan Minxolli, Mihal Delijorgji, Sokol Ngjeçi dhe shoqëria “Albademil” sh.p.k. kanë konsumuar veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”.
Më 12 mars 2012 Gjykata e Shkallës së Parë dha vendimin për 29 të akuzuarit e "Gërdecit", duke dënuar me 18 vjet burg ish-kreun e kompanisë MEICO, Ylli Pinari dhe ish-drejtorin e Fabrikës së Demontimit, Dritan Minxolli. Me 10 vite burg u dënua ish-administratori i kompanisë "Albademil" sh.p.k, Mihal Delijorgji. Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Leitnant Luan Hoxha, i cili prej kohësh është larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës është dënuar me 6 vite burg. Të pandehurit e tjerë mes tyre, ish-ushtarakë dhe ish-zyrtarë të Lartë të Ministrisë së Mbrojtjes janë dënuar me vite dënimi që variojnë nga 1 deri në 6 vite burg, ndërsa nuk munguan as pafajësitë.





