Ish-ministri Fatmir Mediu ka folur për gazetarët pas përfundimit të seancës në ngarkim të tij për çështjen “Gërdeci”.
Mediu kërkoi që të bëhet aktekspertim dhe të përcaktohet shkaku i shpërthimit. Ai tha se ekspertë ushtarakë që mund ta bëjnë këtë, shqiptarë ose të huaj, këtë sipas tij e vendos gjykata.
“Të bëhet aktekspertim për hamendësimet e bëra. Duhet të përcaktohet shkaku i shpërthimit. Ka ekspertë ushtarakë, si të dojë gjykatë shqiptarë ose të huaj. Nëse na kërkojnë mendim, do të sjellim emra të ekspertëve”, tha Fatmir Mediu.
Gjithashtu raportohet se SHBA ka sjellë letërporosi, sipas së cilës kërkohet marrja në pyetje e 5 shtetasve amerikanë. Lidhur me këtë, Mediu tha se parapëlqen marrjen me pyetje në një diskutim interaktiv.
“Do të konsultohemi me avokatët për qëndrimin e SHBA. Ne kërkuam diskutim interaktiv jo të ecet me letërporosi”, tha ai.
Mësohet se seanca e radhës do të mbahet në datën 2 maj në orën 10:00. Mediu është nën hetim për rastin e tragjedisë së Gërdecit që ndodhi më 15 mars të vitit 2008, ndërsa ish-ministri akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre.