TIRANE, 14 shkurt 2013 – Prokuroria e Tiranës firmosi sot 15-urdhër ekzekutime për të akuzuarit e dosjes “Gërdeci”. Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit prokurori në Prokurorinë e Tiranës, Petrit Fusho, ka firmosur urdhër-ekzekutimet që u hapin rrugë më pas arrestimeve të të akuzuarve. 

Urdhër-ekzekutimet janë firmosur për: Mihal Delijorgji, Luan Hoxha, Ylli Pinari, Dritan Minxholli, Sokol Ngjeçi, Dashnor Çaushi, Armand Tartari, Ndue Marku, Fatmir Kuçi, Gezim Hoshafi, Jorgo Mino, Denis Hajdari, Fahri Toska, Zenun Fero, Hysni Çoçka 

Prokuroria nisi të zbatojë kështu vendimin e formës së prerë të një ditë më parë dhënë nga Gjykata e Apelit. Treshja gjykuese, e kryesuar nga Alaudin Malaj, Gent Shala dhe Shkëlqim Miri, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke bërë disa ndryshime. 

Vendimi i formës së prerë, parashikoi ulje të dënimit për ish-kreun e kompanisë MEICO, Ylli Pinari, i cili u dënua përfundimisht me 15 vite burg, nga 18 vite që e kishte dënuar Gjykata e Shkallës së Parë. Ish-administratori i kompanisë "Albademil" sh.p.k, Mihal Delijorgji dhe ish-drejtori i Fabrikës së Demontimit të armëve, Dritan Minxolli përfituan ulje të dënimit me 1/3. Në bazë të këtij reduktimi, Mihal Delijorgji dënohet me 7.5 vjet burg, ndërsa Dritan Minxolli me 12 vjet burg. Edhe për këta dy të pandehur, Gjykata e Apelit ka vendosur të aplikojë përfundimisht gjykimin e shkurtuar.