Rikthehen ekspeditat arkeologjike në Forumin bizantin.

Arkeologia Brikena Shkodra, prej disa ditësh ka nisur gërmimet në këtë monument, për të hedhur më shumë dritë mbi historinë e funksionimit dhe transformimit të Forumit në qendër të qytetit, përgjatë antikitetit të vonë nga shekulli VI deri në shekullin XIV.

“Sërish këtë vit fokusohemi në mbledhjen e informacioneve të mëtejshme për të njohur historinë e funksionimit dhe transforrmimit të forumit rrethor. Është struktura më e rëndësishme e qytetit gjatë antikitetit të vonë, sepse është qendra publike e qytetit në këtë moment historik (shekulli Vi)”,- thotë arkeologia Shkodra.

Kjo është ekspedita e katërt arkeologjike e viteve të fundit. Gjatë këtyre ditëve, arkeologët kanë zbuluar disa skelete njerëzish, për të cilat Shkodra thotë se janë me rëndësi për të përditësuar të dhënat ekzistuese rreth varrezës mesjetare të qytetit.

“Jemi pothuajse 70 cm nën nivelin aktual të përdorimit të qytetit dhe kemi hasur në gjurmët e varrezës. Bëhet fjalë për një varrezë të periudhës mesjetare. Nuk e përcakktojmë dot saktësisht momentin kronologjik sekur në mesjetë por është një e dhënë shumë e rëndësishme sepse dokumentimin e periudhës së varrezës mesjetare të qytetit e kemi me të dhëna tepër sporadike”,- thotë arkeologia që drejton ekspeditën.

Shesh-tregu i periudhës bizantine, i ngritur në shekullin VI, ka shërbyer si qendër për aktivitetet më të rëndësishme sociale, ekonomike, politike dhe tregtare të kohës.

Gërmimet po kryhen në kuadër të projektit ‘Dyrraciumi në antikitetin e vonë”, i cili realizohet nga Instituti i Arkeologjisë me mbështetjen financiare të Akademisë së Shkencave.

M.B.