Një statujë e vogël në bronx, që mbase është perëndesha Artemis, është gjetja më e fundit që ekspedita shqiptaro-franceze zbuloi vetëm një orë para konferencës për shtyp, ku do të prezantoheshin zbulimet nga gërmimet 1-mujore në Forumin Bizantin të Durrësit.

Ende e mbuluar nga shtresat e kohës, statuja e vogël pritet t’i nënshtrohet trajtimeve të posaçme.

Ka shumë gjetje, të tipeve nga më të ndryshmet. Këtu po ju tregojmë një statujë të vogël bronxi, ndoshta një perëndeshë. Objekti është ende i papastruar, sepse tani sapo u gjet. Ka nevojë për pastrim, trajtim dhe konservim, por dallohet qartazi që kemi të bëjmë me një personazh femëror. Për nga tiparet e lëvizjes dhe veshjes mund të jetë perëndesha Artemis, që na bën të kujtojmë sanktuarin e famshëm të Durrësit, për të cilin ka projekte studimore në vazhdim”.

Arkeologia franceze Catherine Abadie Reynal deklaroi gjithashtu, se gjetje mjaft të rëndësishme nga gërmimet janë dy shtëpi të epokës romake, që i përkasin shekujve II dhe III të erës sonë, ku duken gjurmët e zjarrit shkatërrimtar që dogji qytetin antik. Të frikësuar nga flakët, banorët nuk kanë pasur mundësi të marrin me vete objektet e përdorimit të përditshëm apo ato të kultit.

“Kemi arritur të kapim nivelet e periudhës romake, më konkretisht janë dy shtresa nivele banesash, të shekullit II dhe III pas Krishtit. Të dyja banesat janë shkatërruar si pasojë e zjarreve masive, ku duken qartë gjurmët e djegieve që kanë shkatërruar banesat. Duken edhe trarët mbajtës të shtëpisë, të karbonizuara, si elementë shumë të rëndësishëm arkeologjik për të kuptuar funksionimin e ndërtimit”,- deklaroi Reynal.

Forumi Bizantin, një nga monumentet më të rëndësishme të qytetit, krahas funksionit parësor për të cilin u ndërtua, ka pësuar transformime të shumta në rrjedhën e shekujve. Transformimet dhe ndryshimet gjatë periudhës së mesjetës (shek VII-XIV) i prezantoi arkeologia Brikena Shkodra.

Nga fundi i shekullit VII deri në shekullin XIV kemi gjetur të gjitha gjurmët e formave të ndryshme të ripërdorimit të strukturave të këtij monumenti, në funksione të ndryshme, brenda qytetit mesjetar. Muret ekzistuese të Forumit Bizantin janë ripërdorur në forma të ndryshme banimi, duke ngritur nivelet e përdorimit, etj”,- tha Shkodra.

Forumi Bizantin është një nga ndalesat e grupeve turistike të huaja gjatë vizitave që ata kryejnë në sitet arkeologjike dhe historike të qytetit. Gërmimet e ekspeditës shqiptaro-franceze në të rinisën pas dy vitesh ndërprerjeje, për shkak të pandemisë Covid-19. Bashkëpunimi shqiptaro-francez ka nisur që në vitin 2012 dhe ka për qëllim të hedhë më shumë dritë mbi topografinë e Epidamne-Dyrrachion, apo e thënë ndryshe Durrësit antik.

M.B.