Gert Shehu, 31-vjeçari, i cili goditi kreun e PD-së Sali Berisha në protestën e opozitës, ka kërkuar që të mos ndiqen penalisht truprojat që e neutralizuan.
Kjo është deklaruar gjatë marrjes në pyetje të Shehut, teksa do i jepej masa e sigurisë. Truprojat e ish-kryeministrit rrezikonin të merreshin nën hetim për plagosje të lehtë me dashje ose dëmtime të tjera me dashje.
31-vjeçari Gert Shehu, u la në arrest me burg nga Gjykata e Tiranës, masë sigurie që u dha në ambientet e spitalit të Traumës. Ai po kurohet në Spitalin Ushtarak dhe ruhet nga forca të shumta policie. Pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore, i riu pritet të transferohet në qeli.
Avokati Ervis Lila i përzgjedhur nga familjarët e Gert Shehut ka kërkuar një masë më të lehtë ndaj tij, teksa ka theksuar se akti i ekspertimit psikik për klientin e tij do të jetë përcaktues në këtë proces.
Lila gjithashtu është shprehur se agresori i Berishës flet me fragmente dhe bën deklarime të ndryshme. Gert Shehu akuzohet nga autoritetet për goditje për shkak të detyrës dhe plagosje me dashje.