Durrës, 17 maj 2014 – Gëzim Bega, ushtarak dhe jurist, ka një karrierë prej 30 vitesh në ushtri, duke shërbyer nga detyra të ulëta deri në rangun e komisarit dhe komandantit të Divizionit. Ai kujton ngjarje të ndryshme në fillimin e karrierës, si ajo ku u desh ndërhyrja e ministrit Beqir Balluku që oficerët të trajtoheshin më mirë, apo diskutimet false për grupin puçist në ushtri, deri dhe tek përpjekjet e shumta për ndërtimin e brigadës së Manzës dhe ngjarjet e korrikut në Kavajë në vitin 1990.Gëzim Bega vitet e fundit derisa doli në pension ka punuar jurist në bashkinë e Durrësit. Duke përfunduar pas studimeve të plota ushtarake edhe fakultetin juridik, në vitin 1997 fillon punë në prefekturën e Durrësit si drejtor i zyrës juridike për të vazhduar më pas në disa detyra të tjera. Por karriera e tij nisi si komandat toge në Ndroq, në kohën që ai ishte vetëm 20 vjeç. Gëzim Bega, me një karrierë të pasur 30-vjeçare në ushtri, ka mbajtur një ditar të hollësishëm, nga viti 1989 dhe në vazhdim. Mbajtja e ditarit personal ishte një “shfaqje e huaj” për kohën, por në fletët tashmë të zverdhura të ditarit gjen përshkrime interesante rreth zhvillimeve të vrullshme të kohës, të cilat nisën me hapjen e ambasadave, eksodin e shqiptarëve një vit më vonë etj.
Si ka nisur karriera juaj ushtarake?
Familja ime është nga Skrapari, me tradita dhe unë kam jetuar gjithsej atje vetëm 4 vjet e gjysmë. Gjyshi im, Demiri, ka sjellë abetaren e parë në fshat, të cilën e kishte marrë në Frashër. Pasi familja ime u vendos në Durrës, babai u sistemua në ndërmarrjen e ndërtimit si teknik, ndërsa nëna në Fabrikën e Cigareve, ku edhe doli në pension. Unë fillova shkollën në vitin 1953, ndërsa pas 10 vjetësh kam shkuar në Shkollën e Bashkuar. Dua të them se kjo shkollë m’u rekomandua me insistim nga prindërit, pasi në atë kohë paga e oficerit ishte mjaft e mirë për një familje të varfër si ajo e jona. Në dhjetor 1966 e mbarova shkollën dhe u gradova oficer. Fillimisht më emëruan në Ndroq, komandant toge, ndërkohë që punën e fillova në janar të 1967 deri në vitin 1970.
Si i keni përjetuar këto vite, në një kohë që ishit fare i ri?
Po, e vërtetë. Ishte hera e parë që detyrohesha ta ndërtoja jetën vetë, larg familjes. Në shtëpi vija një herë në 10-15 ditë, pasi orientimi ishte që oficeri të qëndronte sa më afër trupave. Nga ana tjetër edhe ne kishim qejf, sepse ishim të rinj. Shpesh me kolegun tim, Dhimitër Boçi, me të cilin hanim dhe flinim në një dhomë, diskutonim për mjaft probleme të kohës. Megjithëse në këtë moshë duhet thënë se jeta e oficerit ishte e vështirë, ne flinim në repart, bashkë me ushtarët, ndërsa norma e ushqimit ishte mjaft e keqe. Për këtë mbaj mend se ka ndodhur një histori interesante me ministrin e Mbrojtjes të asaj kohe, Beqir Balluku.
Çfarë ka ndodhur?
Ne, duke qenë të rinj, pa familje, nuk kishim ku hanim, sepse ishim në reparte të largëta. Në këtë kohë doli një vendim i Byrosë Politike për trajtimin e oficerëve beqarë. Ne nuk dinim gjë për të, vendimi kishte gati një vit që kishte dalë dhe tek ne nuk kishte asnjë ndryshim. Një ditë në repart vjen ministri, Beqir Balluku dhe pasi paraqitëm forcën nisi biseda e lirë. Ai na pyeti që në fillim: A ju pëlqeu vendimi i Byrosë Politike për trajtimin tuaj? Unë u skuqa, isha i ri dhe s’dija si të përgjigjesha. Ai e kuptoi që ne nuk dinim gjë dhe vazhdoi: “Ku ha ti djalë, si trajtohesh”? Unë iu përgjigja: “Shoku ministër, ha ku të mundem, te mensa e kooperativës, gatuaj vetë etj”. Ministri vazhdoi: “Reparti nuk ju përmirëson asgjë në ushqim”? Unë u përgjigja: “Jo!” Pas kësaj ai mori në telefon komandantin e divizionit, Vaskë Gjino, por ai nuk ishte dhe doli komisari, Qemal Gjylyku, të cilin e thirri të vinte aty. Ai erdhi për 30 minuta dhe sapo mbërriti, e pyeti në prezencën time: E dini gjendjen e këtyre oficerëve? Unë për t’i dalë në mbrojtje thashë se nuk jam ankuar, por komisari tha: Jo, nuk e di. Pas këtij debati, të nesërmen filloi zbatimi i vendimit të Byrosë Politike dhe u përmirësua ndjeshëm menyja. U bë bujë në fakt për ardhjen e ministrit dhe pas disa ditësh shefi i shtabit të korpusit më thirri dhe më tha: “Ku do të shkosh, në Ndroq janë disa hyrje bosh, ke dëshirë?”
Kështu u futëm te hyrjet e reja, ishim pesë oficerë beqarë dhe morëm 2 dhoma dhe 1 kuzhinë. Këtë përshtypje të mirë, për këtë ministër babaxhan do ta ruaja edhe më vonë, duke e fiksuar në kujtesën time për një kohë të gjatë.
Çfarë ndodhi më pas, në ngjarjet e të ashtuquajturit “grup puçist”….
Në vitin 1974 isha në Sukth duke përfunduar stazhin e partisë. Në diskutimet që bëheshin në organizatat bazë të partisë, kishte një kontradiktë, sepse këto diskutime bëheshin nga pothuajse të gjithë, qoftë nga mosha e re, qoftë edhe nga ata që nuk e kishin lexuar materialin e hartuar nga grupi i punës që u quajt “antiteza” e këshillit të mbrojtjes. Kështu po diskutohej për grupin puçist me Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon etj, për “materialin e zi”. Unë dhe oficerë të tjerë të rangut tim nuk e kishim lexuar materialin. Në mbledhjen që u zhvillua jam ngritur dhe kam thënë me ndërgjegje se personalisht kam krijuar një opinion shumë të mirë për tre udhëheqësit e ushtrisë, pasi nuk e besoja që të ishte e vërtetë “tradhtia” e tyre. Nga ana tjetër, derisa këtë gjë e “thoshte partia’, ajo nuk mund të vihej në dyshim, megjithëse nga përshtypja personale nuk bindesha. Dhe në këto mendime duke folur në fund fare të diskutimit unë pyeta: “A është e mundur që një Ministër Mbrojtje të jetë frikacak?”
Përgjigjja e sekretarit ishte: “Ai ka qenë trim, por gjatë luftës dhe më vonë njeriu mund të ndryshojë dhe prishet gjatë kësaj rruge”.
Unë më pas e mbylla diskutimin tim me fjalët: “Më vjen keq që paskam pasur një ministër frikacak!”
Në fakt ishte personi i parë Beqir Balluku që gjykohej ende në detyrë, sepse nuk ishte shkarkuar akoma. Puna ishte se edhe në radhët e komunistëve në ushtri, asnjë prej tyre në nivel komandant brigade e poshtë nuk e kishte lexuar materialin dhe nuk e kishin idenë se çfarë ishin “antitezat”.
Ç’ndodhi pas stazhit, ku ju emëruan?
Pas mbarimit të stazhit më emëruan instruktor në komitetin e partisë të brigadës së Manzës, megjithëse nuk e kisha bërë shkollën e partisë. Në atë kohë kisha mbaruar fakultetin juridik. Një vit më vonë donin të më çonin në shkollën e partisë, por nuk pranova, sepse doja t’u kushtohesha shkencave ushtarake. Pas mbarimit të akademisë për dy vjet, më rikthyen në Shijak dhe me riorganizimin nga korpus në divizion, mua më caktuan komisar të brigadës së Manzës në vitin 1983. Në këtë kohë komandat i saj ishte Hasan Çela. Kjo brigadë u krijua në vazhdën e thellimit të luftës armiqësore në ushtri, u mendua që kurrizi i Rodonit kishte mbetur i pambrojtur, prandaj duhej krijuar kjo brigadë, sepse mendohej se rrezikohej forca ushtarake në krah që mbronte qytetin e Durrësit në këtë zonë. Brigada u krijua e re, por 80 për qind e ndërtesave të saj mungonin, nuk kishte strehim për trupat dhe municionet me pajisjet. Kështu e gjithë brigada u vendos në çadra. Ka qenë një situatë shumë e vështirë dhe e lodhshme, sepse municioni mbeti jashtë në pyll. Na u desh shumë punë që të ndërtoheshin ambientet dhe duhet vlerësuar puna plot përkushtim e mbinjerëzore në këtë kohë e komandantit Hasan Çela, Ylli Dimrajt, Gëzim Huqit, Mehmet Vreka, Astrit Biba, Asqeri Hysi etj. Ka qenë një vuajtje shumë e madhe derisa u ndërtuan godinat dhe qëllonte që oficerët të rrinin për ditë me radhë pa shkuar në shtëpi, derisa u bë problem vonesa e ndërtimeve.
Ju keni kryer Akademinë Ushtarake në vitet 1980-1982, çfarë mbani mend nga ajo kohë?
Akademia ishte shumë e kualifikuar me pedagogë të aftë si: Kostaq Karoli, Adem Çobani etj. Dy vitet e akademisë përkojnë me vrasjen e Mehmet Shehut, unë isha në Tiranë dhe është e veçantë mënyra se si e morëm vesh dhe se si e përjetuam këtë ngjarje të rëndë. Një ditë pasi ishte kryer vrasja, në 18 dhjetor, unë me një shokun tim të klasës, Pëllumb Zaimi, shkuam në spitalin ushtarak për t’i bërë vizitë një shokut tonë që ishte shtruar atje. Në Laprakë, duke ikur për në spital, pashë një mikun tim që punonte në sigurimin e shtetit, Ndalova dhe e takova. Ai më tha: “Di gjë ti se çfarë ka ndodhur, sepse të shoh shumë të prekur? Nuk jua kanë thënë në shkollë? Mbrëmë Mehmet Shehu ka vrarë veten!”
Unë u shtanga, m’u ngurosën fjalët dhe mendimi dhe thashë: “Idiot, mos bëj të tilla shakara!”
Ai më preku lehtë dhe më tha: “Dëgjo lajmet në orën 20.00”.
Nuk e besonim këtë që na tha, ndërkohë që e harruam shokun tonë në spital dhe shkuam të takonim një kushërirën e tij në bllok, e cila punonte kuzhiniere tek vila e Spiro Kolekës. Pasi e takoi, Pëllumbi u kthye dyllë i verdhë dhe tha se ishte e vërtetë ngjarja.
Ç’ndodhi më pas?
Ne përsëri na dukej mjaft e çuditshme dhe donim të shinim nga afër nëse kishte ndonjë ndryshim apo jo. Kaluam afër Komitetit Qendror dhe po tentonim të kuptonim situatën. Aty dritat ishin ndezur të gjitha, rojet ishin shtuar, nga një, ishin bërë dy roje bashkë dhe asgjë tjetër nuk kishte. Nuk kishte as tanke dhe as trupa ushtarake. Nga aty vajtëm tek klubi i Ministrisë së Brendshme. Aty vinte shpesh edhe Kadri Hazbiu. Kur vajtëm atje ora ishte 8 pa 10 e mbrëmjes dhe pamë këtë atmosferë. E gjithë salla brenda ishte plot, në krye ishte një tavolinë që qëndronte e rezervuar, ku rrinte shpesh Feçor Shehu dhe Kadri Hazbiu. Atë mbrëmje tavolina ishte bosh. Në orën 8 pa 5, aty erdhi Xhule Çiraku, drejtori i shërbimit të udhëheqjes. Duke parë këto gjëra unë i thashë Pëllumbit: “E di që nuk do të jetë e vërtetë kjo, shiko Xhulen ku është, a mund të ishte në një ditë të tillë ai në atë tavolinë?”
Erdhi kamerierja tek ne, porositëm dhe në orën tetë pa një minutë nisi një shpërqendrim i përgjithshëm në sallë. Nisi sinjali i radios “pip-pip” që tregonte se po numëroheshin sekondat e fundit që ora të shkonte tetë fiks. Në sallë nuk kishte TV, ne drejtuam kokën nga vinte sinjali i radios. Në këtë moment kamerierja kishte mbushur tabakanë plot me gota me verë, por edhe ajo qëndroi për të dëgjuar si të gjithë ne. Filluan lajmet dhe i pari ishte: “Njoftim nga Komiteti Qendror: Në një moment krize kryeministri Mehmet Shehu vrau veten”. Të gjithë shtangën, ndërsa kamerieres ia ra tabakaja dhe të gjithë gotat u thyen. Pas fjalisë së shkurtër për “vetëvrasjen” e kryeministrit, spikerja vazhdoi me fjalët: “vazhdojmë me programin sipas kërkesave të dëgjuesve”. U çliruan të gjithë, ndërsa ne kthyem kokat dhe pamë që Xhule Çiraku nuk ndodhej më në tavolinë. Siç duket kishte ardhur vetëm për të parë reagimin e klientëve që ishin në lokal. Qëndruam aty deri në orën 12 të natës, akoma nuk e besonim që Mehmet Shehu kishte vrarë veten. Ai ishte personalitet i fuqishëm politik dhe ushtarak.
Ju keni shërbyer në ushtri edhe në kohën e ndërrimit të sistemit…
Pas 6 vitesh shërbimi në Bulqizë, u transferova komisar divizioni në Peqin. Ishte një detyrë e re për mua dhe emërimin e kam marrë në 23 prill të vitit 1990. Vendimin e transferimit ma ka komunikuar në Komitetin Qendror Hekuran Isai dhe të pranishëm ishin edhe Pali Miska dhe Kiço Mustaqi. Pas afro 10 ditësh u bë prezantimi im në Peqin. Kjo kohë ka kaluar me zhvillime të ndryshme, pasi ishin ngjarjet e marsit në Kavajë, por më problematike do të riktheheshin në korrik, kur edhe ndodhi vrasja e Josif Budës nga forcat speciale.
Çfarë mbani mend nga këto ngjarje? A pati përplasje midis ushtrisë dhe popullsisë civile?
Që në fillim dua të theksoj se në asnjë rast nuk pati mobilizim të ushtrisë kundër popullsisë civile dhe as përplasje me banorët e Kavajës. Unë kisha bërë shumë takime me persona që ishin në një farë mënyre organizatorë të demonstratave dhe kishim krijuar një “marrëveshje” me ta që repartet dhe ushtria të mos preket dhe të njëjtën gjë do të bëjmë edhe ne. Pa dyshim që është një meritë e forcave ushtarake që këto demonstrata të mos shkaktonin gjakderdhje në këtë periudhë të vështirë të vendit tonë. Mbaj mend se në datën 8 korrik 1990 (në 10 korrik është vrarë Josif Buda) kërkohet ndihma e ushtrisë që të ishte në gatishmëri. Sekretari i komitetit të partisë së rrethit Durrës Muho Asllani zhvillon një mbledhje, e cila zgjati deri në orën 02.00, pas mesit të natës. Mbaj mend se Muho Asllani ishte mjaft i trembur dhe kërkohej me ngul që të mos lejoheshin të përkeqësoheshin më shumë demonstratat e popullit të Kavajës. Dy ditë më vonë ka ndodhur vrasja e Josif Budës nga sampistët e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Varrimi i tij ishte lënë të nesërmen, në 11 korrik ora 16.00. Arkivoli i tij u vendos në qendër dhe ishte mbuluar me një çarçaf të bardhë, i njollosur me gjakun e tij. Që në fillim të varrimit, një turmë me rreth 2000-3000 vetë, pasi vajtën në fund të rrugës, u kthyen mbrapsht, lanë arkivolin në tokë dhe nisën të thyejnë të gjitha xhamat. Bashkë me këto veprime po hidhnin edhe parulla: “Enver-Hitler”, “Poshtë Ramiz Alia” etj. më pas dogjën makinën e Agron Tafës, sekretari i partisë së Kavajës dhe atë të Muho Asllanit. Turma në fillim kishte fëmijë 10-15 vjeç, më pas ishin vendosur të rinjtë dhe në fund mosha më e madhe. Policia duhet thënë se kishte urdhër që të mos ndërhynte, megjithëse u bë një katrahurë e madhe. Unë isha zhvendosur nga komanda e divizionit të Peqinit, në garnizonin e Kavajës për shkak të këtyre ngjarjeve. Situatën e ndiqnim nga larg dhe popullsia e dinte se ne nuk kishim për të ndërhyrë ndaj tyre, askush nuk u prek. Nga ana tjetër në turmë kishte roje të maskuara nga protestuesit që ndiqnin me mjaft kujdes çdo lëvizje tonën. Mbaj mend se në këtë kohë kam kontaktuar me Qazim Kariqin, ai rrinte në ballë në demonstruesve.
Patët probleme të tjera më vonë, kur ndodhi eksodi i parë me anijet në port?
Jo, ne si forca ushtarake ishim në Peqin, por me ngjarjet e eksodit kam përjetuar një ngjarje personale. Ka qenë dita më e vështirë e jetës time kur bashkë me shumë të tjerë që ikën me anije, iku edhe djali im 12 vjeç, Armandi. Unë atë ditë i kisha sjellë të katër fëmijët nga Peqini që të takonin gjyshen e tyre në Durrës. Fëmijëve u kisha thënë se në 12.30 do ktheheshim përsëri në Peqin, por kur po afronte ora, Mandi nuk dukej. Ai ishte një fëmijë mjaft i lëvizshëm dhe duke kërkuar sa andej, këtej, morëm vesh se një djalë e kishte parë në port. sigurisht që u trondita shumë dhe bashkë me kunatin tim, Azem Hylviun, shkuam me vrap në port. u futëm aty, çfarë të shikoje. Porti ishte i mbushur plot me njerëz, pleq, gra dhe fëmijë që qanin, psherëtinin, thërrisnin. Anija “Teuta” ishte mbushur plot, aty ishte edhe djali im, por nuk kishte asnjë mundësi që të hipja, ta gjeja dhe ta zbrisja poshtë. Po afrohej nata dhe lloj-lloj mendimesh më vinin në kokë. Mendoja edhe për kolegët e mi të ushtrisë, se çfarë do të thoshin ata të nesërmen kur të mësonin se djali im kishte ikur me anije drejt Italisë. Shkova pak më tutje, anija greke “Panorama”, edhe ajo ishte mbushur plot me njerëz. Njerëzit bënin thirrje: Ju oficerët bëni diçka, po na ikin fëmijët! Unë ia ktheva: Edhe mua më ka ikur djali 12 vjeç. Të nesërmen shkova në divizion dhe aty ishte marrë vesh ikja e djalit tim. Filluan pëshpërimat e para: “Si mund të jetë ai drejtues kur i iku djali” etj. pas tre ditësh më mori në telefon ministri, Kiço Mustaqi dhe më thotë: Ç’ke, pse je kaq i tronditur? Më pas vazhdoi, se sigurisht që e kishte marrë vesh për djalin: Shiko, mos u bëj merak për djalin, ai të jetë mirë se nuk të ka ndodhur vetëm ty! Megjithëse u lehtësova nga një anë, kur shkoja në repart e vija re një ftohtësi ndaj meje. Pas 10 ditësh djali u kthye nga Italia. Atë ditë bëra darkë në shtëpi dhe sa vajta tek garnizoni i Kavajës, i mblodha oficerët dhe u thashë: Dëgjoni, djali im 12 vjeç, siç nuk diti për të ikur, diti shumë mirë që të kthehet në atdheun e tij! Në fillim pati heshtje, më pas duartrokitje.
Kur mori fund karriera juaj ushtarake?
Deri në shtator të vitit 1992 isha komandant divizioni. Në këtë kohë më thërret ministri, Alfred Mosiu, dhe më thotë se “kam respekt për ty, ke treguar aftësi dhe kompetencë, por detyrën që ke nuk mund ta mbash më se arsyet ti i kupton”. Unë pranova dhe kërkova që të më transferonin në Durrës dhe të më jepnin edhe shtëpi, se nuk kisha. Fillimisht kalova shef shtabi i brigadës së Durrësit, por pas tetë muajsh erdhi lirimi përfundimisht, pa asnjë arsye dhe motivacion në gusht 1993. Ka qenë vetëm një komunikim në Plepa, madje unë nuk vajta, thanë: Kush do dëgjojë emrin të qëndrojë, të tjerët të ikin. Kështu pas kaq vitesh në ushtri mbeta pa punë dhe pa shtëpi, vetëm pas shumë kohësh mora një depo zdrukthëtarie në Spitallë. Ky ishte shpërblimi i 30 viteve punë në ushtri.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





