Nga Gëzim Kabashi
Gëzim Çela, ndërroi jetë sot në moshën 89-vjeçare. Ishte një qytetar model, një mik i çmuar, një zotni imadh.
Pata fat që e kisha mik, dhe shëtitjet e gjata me të do ti kujtoj gjithmonë, siç do të kujtoj pjesmarrjen e tij në Bienalen “Netët e muzikës klasike” apo emocionin që provoi kur e ëma Roza, u shpall “Qytetare Nderi” e Lushnjes.
(Ky shkrim i përket vitit 2012)
Gëzim Çela ka kaluar 22 vjet të gjata në burgjet e diktaturës komuniste. Megjithatë tregimet e tij për burgun kanë një tis të lehtë ironie dhe humori, dëshmi e forcës së brendshme, që e ka bërë tu rezistojë tre dënimeve të njëpasnjëshme.
77-vjeçari e ka zakon ti presë miqtë, të vjetër apo të rinj qofshin në apartamentin e tij.
Në ballkonin e katit të 10-të mbi shëtitoren bregdetare rrezet e diellit bien pjerrtas dhe bashkë me gotën e mbushur me raki rrushi Gëzimi sjell në tavolinë dhjetra episode të pafund nga jeta e tij e djeshme dhe e sotme.
Nuk është e vështirë ta kuptosh sa shumë e do Durrësin, qytetin ku përfundoi shkollën e mesme në vitin e largët 1956. Më pas njërin prej shokëve maturantë, dr. Ben Çetën, e takoi përsëri në burgun e Shën Kollit, njëlloj bashkëvuajtës, si një tjetër durrsak, Xhoxh Koçi.
“I dua durrsakët për gjithçka, për ndershmërinë, për mikpritjen, për transparencën.”
Ka provuar më parë edhe mikpritjen e minatorëve të Manzës, atje ku kaloi dy periudha të gjata, thuajse 10 vjet gjithsej, kur nga njëri burgim në tjetrin, detyrohej të punonte larg qyteteve të mëdha, të cilat mund ti “infektonte me ideologjinë e huaj”.
Ishte akoma në Manëz, kur filloi të aktivizohej me Partinë demokratike, një ndër më të votuarit e grupseksioneve të Durrësit dhe i bindur se gjithçka po ndryshonte.
U vendos në qytetin tonë përfundimisht kur u martua me mjeken stomatologe, dr. Irena Beligradi, duke gëzuar pafund nënë Rozën, e cila përveç jetës I fali dashurinë e pamatë, duke sakrifikuar edhe veten.
Ka diçka që nuk mungon kurrë në bisedat me Gëzim Çelën.
Është adhurimi për prindët e tij.
Nënë Roza e ka rritur vetëm. E ka ndjekur pas në të gjitha burgjet ku ia kanë mbyllur birin e vetëm, dhe ka qenë mbështetja e përhershme e tij.
“Mbaj mend, kur erdhi një herë në burgun e Rubikut, atje ku ndërtonim fabrikën e pasurimit të bakrit. Teksa hapte trastën me ushqime nëna më tha: Përse nuk rri rehat ti?
Ishte viti 1963, dhe para disa ditësh, kur në radio u dëgjua lajmi për vrasjen e presidentit amerikan Kenedi, dikush më kishte parë duke qarë-tregon Gëzimi.
Nënë Rozën ende pa mbërritur në kamp komandanti I burgut e kishte pyetur: “Yt bir qau për Kenedin. Po yt shoq atje në Amerikë a ka qarë?”.
Lotët e përmbajtura për presidentin amerikan i kanë kushtuar 30 ditë izolim në birucë.
“Ne ishim të ndaluar të qeshnim me zë, dhe po ashtu nuk na lejohej të qanim, qoftë edhe pa zë-shkruan hidhur Gëzim Çela në librin e tij të dytë “Nga burgu I Spaçit drejt lirisë”, botuar në vitin 2010.
Në një tjetër vëllim të botuar më parë titulli flet vetë: “Klithma e nënës”.
Këtë kujton Gëzim Çela duke më vënë përpara edhe një foto tjetër: atë të varrit të babait të tij, në Filadelfia të SHBA.
Mahmut Çela, i njohur si fanolist e antizogist kishte kryer detyra të rëndësishme në administratën shtetërore. Ai ishte prefekt i Durrësit në fundin e luftës së dytë botërore, atëherë kur qyteti bregdetar ishte zbrazur nga nazistët.
“Isha 8-9 vjeç, kur babai na sistemoi në Ulqin, në një familje të afërmish-zë përsëri fillin e tregimit Gëzim Çela, duke iu rikthyer kujtimeve të viteve 1944-1945.
Është kujtimi i fundit që ka për babain, i cili muaj më vonë nuk i gjeti më në Ulqin dy njerëzit më të dashur të jetës së tij, Rozën dhe Gëzimin.
“E ndodhur në vështirësi nëna u kthye në Tiranë, ku nuk e lejuan të qëndronte, pasi na kishin konfiskuar shtëpinë. Për ne filloi një jetë gati endacake-kujton 77-vjeçari.
Komunikimet me babain u bënë të vështira, megjithëse ai gjente mënyrat për të na ndihmuar. Babai im, I diplomuar si ushtarak në Insbruk (Austri) dhe nëna që mësoi në Beograd profesionin e mamisë jetuan gjithë jetën larg njeri-tjetrit, ndërsa unë mbetesha burgjeve për faje që nuk I kisha kryer-vijon Gëzim Çela.
Më 1995, një vit pasi mbylli sytë nënë Roza, të cilën qyteti I Lushnjes do ta përkujtojë këto ditë me titullin “Qytetare nderi” (pas vdekjes), Gëzim Çela ka fluturuar drejt SHBA.
“Vizitën e parë e bëra te babai, I cili kishte ndërruar jetë më 1968. Vura një tufë me lulë dhe kujdesa për varrin e tij në Filadelfia. Më pas iu drejtova një varri tjetër, këtë herë në Uashington. Para pllakës së varrit të presidentit Xhon Kenedi nuk kisha më frikë nëse mund të lotoja”.
Anxhelo italiani, këngëtari lirik I Spaçit
“Ditën e parë të burgut tim të dytë e mbaj mend si sot-tregon Gëzim Çela. Nga qelitë lart mbërrinte në oborr një prej arieve italiane që e kisha dëgjuar disa herë. Mes zhurmave të hekurave të ndryshkur që shoqëronin çdo lëvizje të dyerve zëri I “këngëtarit” të burgosur dallohej lehtë dhe të krijonte njëfarë qetësie.
“Nuk e ke gabim, më thane rojet e burgut. Është artist lirik dhe ka studiuar në konservatorin “Santa Çeçilia”.
Në fakt, Gëzim Çela nuk e tregon për herë të parë këtë histori. 20 vjet më parë ai ka qenë I ftuar në një Forum ndërkombëtar për të drejtat dhe liritë e njeriuut, që organizohej në Peskara të Italisë.
“Ishte viti 1992 dhe dilja për herë të parë jashtë kufijve të Shqipërisë. Kisha tentuar të largohesha nga ferri komunist në mesin e viteve 1950 dhe e kisha paguar me 22 vite te gjata burgu për tentativë arratisjeje-shton Çela.
Tregimi I tij për këngëtarin lirik italian të Spaçit ka bërë xhiron e gadishullit fqinj. Të pranishmit, që dëgjuan historinë që tregoi shqiptari kanë nisur telefonatat për të gjetur këngëtarin e burgosur të Spaçit, ndërsa mediat italiane I bënë jehonë të menjëhershme lajmit të kumtuar.
Cila është e vërteta?
Atë që këndonte ariet në qelitë e burgut shqiptar, e quanin Anxhelo Bertoni dhe kishte ardhur në vendin tonë si ushtar I Duçes. Pas kapitullimit të fashizmit, në shtator të 1943, Bertonin e kishin “fshehur” nga rreziku I nazistëve, një familje fshatarës të një katundi në afërsi të Sarandës.
Dy vjet më vonë ata kishin dalë të gjithë për ta përcjellë si një bir shtëpie në portin e Durrësit, ku ishin grumbulluar për në Itali të gjithë ushtarët e mbetur nga lufta në vendin tonë.
Me kokën kthyer pas nga vajza shqiptare që dashuronte, Anxhelo Bertoni në momentin e fundit ka zbritur nga anija që po e çonte drejt shtëpisë së tij në Itali. Ushtari Italian u kthye përsëri te familja e tij e re në fshatrat e Sarandës, për tu trashgëuar me vajzën që donte
Fati I tij u shënjua në ato çaste, kur vendimi I zemrës e tejkaloi atë të mëndjes.
Anxhelo Bertoni u bë një nga shënjestrat e shumta të diktaturës dhe në burgun e Spaçit e niste arien italiane të vajit për ta mbyllur I detyruar nga kërbaçi me Internacionalen, hymnin ndërkombëtar të komunistëve.
“Nuk e gjetëm dot Anxhelo Bertonin në vitin 1992-e mbyll tregimin e tij Gezim Çela. E kisha humbur përsëri nga sytë, si atëherë kur nuk e gjeta më në Spaç, pas revoltës së vitit 1973, e cila na mbajti për disa muaj në birucat e errëta.