Durrës, 6 shkurt 2014 – Kitara e këngëtares së mirënjohur, bilbilit të skenës shqiptare, Vaçe Zela ndodhet në shtëpinë e një ish të dënuari politik durrsak, i cili ka kaluar 22 vite në burgjet komuniste. Gëzim Çela e ruan si një relike të rrallë e shumë të çmuar kitaren e Vaçes. Por si ka përfunduar vegla muzikore ne duart e Çelës dhe pse ka udhëtuar nëpër vende të ndryshme të vuajtjes se dënimit të kohës së diktaturës komuniste?

Gjatë bisedës me ish të përndjekurin politik, Çela tregon se është dënuar 3 herë gjatë viteve të regjimit. Në periudhën kur vuante dënimin në kampin e Tiranës, një i burgosur tjetër Rrap Tasi, që dinte t’i binte shumë bukur mandolinës duke njohur pasionin e Çelës për kitarën, i kishte thënë këtij të fundit të gjente edhe një kitarë.

“Vitet 1961 – 1962 karakterizoheshin nga një farë liberalizmi,- thotë Çela,-  dhe neve të burgosurve na lejohej të mbanim në bibliotekë një vegël muzikore. Pak ditë më parë na kishte mbërritur në burg nga një repart ushtarak një mandolinë dhe Rraqi më kërkoi të gjeja një kitarë, sepse kështu do të mund të sajonim muzikë të bukur, për tu argëtuar disi pas atyre telave me gjemba”.

 Kërkesën Çela ia tha së ëmës, e cila filloi të interesohet për t’i gjetur veglën muzikore të birit të saj të dënuar. Nga një rastësi e jetës, e ëma e Gëzim Çelës takon këngëtaren e mirënjohur Vaçe Zela, e cila e pyet për të birin, të cilin e njihte. Në bisedë e sipër e ëma e të dënuarit i tregon për kërkesën e të birit dhe Vaçja me shpirtgjerësinë,që e karakterizonte, i premtoi se do t’i dërgonte kitarën e saj. E kështu vegla muzikore e të famshmes Zela përfundon pas hekurave të burgut, për tu dhuruar të dënuarve politikë shqiptarë pak alegri e emocion që vetëm muzika di të falë.

“Me këtë kitarë e me muzikën që interpretonim, jeta na dukej më e bukur dhe vuajtja më e lehtë,- kujton Çela. Pasi vuajta dënimin dhe erdhi dita për tu liruar, shokët mu lutën që kitarën t’ua lija atyre pasi ishin mësuar me tingujt e ngrohtë të saj. E kështu u ndava prej veglës sime, të cilën nuk mendoja se do ta shikoja sërish, por jeta është e çuditshme dhe nuk dihet asnjëherë se çfarë të rezervon”.

6 vjet pas dënimit Çela dënohet sërish për bindjet e tij politike dhe këtë herë vendi i vuajtjes së dënimit është burgu famëkeq i Spaçit. Por dhe aty, në atë vend që ngjasonte me ferrin mbi tokë, Çela do të gjente mënyrën për të lehtësuar vuajtjet e tij dhe të shokëve. Në Spaç po e priste vegla e tij e dashur, shoqja e pandarë e burgut, kitara e Vaçes.

“Kur mbërrita në Spaç dhe mora vesh se kitara gjendej aty, një shok më tha me shaka se kitara më tërhiqte dhe ajo ishte si puna e gruas, që nuk e harron dashurinë e parë”,- tregon Çela. I dënuari që ka vuajtur 22 vite në burgjet komuniste, e që diktatura nuk arriti t’ia shuante shpirtin e tij të lirë, do të përfshihej në revoltën e Spaçit së bashku me dhjetra të tjerë që vuanin pas telave me gjemba dënimin, pasi kishin guxuar të shpreheshin e të mendonin ndryshe nga propaganda e realizmit socialist.

Pas arrestimit të atyre që kishin guxuar të ngrinin krye edhe pas hekurave, policia me në krye Feçor Shehun, filloi shkatërrimin e të gjitha gjërave personale të të dënuarve, si për të dëshmuar se regjimi ishte më i fortë e nuk mposhtej. Mendova se gjatë atij shkatërrimi barbar të gjërave që ne i kishim më për zemër do të ishte shkatërruar edhe kitara ime,- vijon Çela,- por shokët kishin ditur ta ruanin e ta mbronin. Njëri prej nesh e kishte nxjerrë jashtë së bashku me arkën e plehrave dhe e kishte fshehur në një galeri. E ashtu si unë që mbijetova në burgjet komuniste dhe iu ktheva lirisë edhe kitara u bë e lirë”.

Aq e dashur është bërë kjo vegël muzikore për Çelën sa ai ka krijuar me të një komunikim të veçantë, që të bën të mendosh se kitara është qënie me shpirt. “Kur do të lirohesha, kitara më tha më merr dhe mua me vete sepse dua dhe unë lirinë time dhe ngrohtësinë e shtëpisë,- thotë me buzë në gaz ish i burgosuri politik.

Kitara e Vaçe Zelës zë një vend të veçantë në studion e Çelës, pasi ajo është bashkëvuajtësja e tij, shoqja e pandarë  gjatë viteve të jetuara në ferrin e burgjeve komuniste, motivi për të cilin jeta bëhej më e ngrohtë edhe pas hekurave të burgut, pasi muzika dhe shpirti i artistit arrinin të ruanin të gjalla ndjenjat njerëzore. Kësaj vegle, dëshmi e peripecive të shumta të kaluara në jetë, por dhe shpirtëmadhësisë së këngëtares sonë të famshme Vaçe Zela, ish i burgosuri politik i ka kushtuar një tregim të titulluar “Kitara”, pjesë e përmbledhjes “Nga jeta në Burgje”.

Kjo kitarë e varur në mur, merr sërish jetë e bëhët e gjallë në duart e Gëzim Çelës, të cilit tingujt e muzikës i rikthejnë në mendje qindra kujtime të gëzuara apo të hidhura nga vendet e vuajtjes së dënimit, shokët e tij të burgjeve, por mbi të gjitha i kujtojnë solidaritetin njerëzor, e cila është një ndër pasuritë më të çmuara për çdokënd.

/Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/