Ekspozita e fotografit të njohur durrsak Gëzim Domi “Durrësi ynë” hapi siparin e aktiviteteve festive të organizuara nga bashkia e Durrësit me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.
Në këtë ekspozitë fotografike Domi kishte sjellë rreth 30 foto që dëshmonin për historinë e vjetër dhe të re të qytetit antik. Në pjesën e parë të ekspozitës ishin vendosur foto të viteve të para të shekullit të kaluar. Qendra e qytetit, bashkia, porti si dhe ndërtesa historike të fiksuara nga fotografët e asaj kohe përbënin pjesën dërrmuese të fotove që i referoheshin 20-30 viteve të para të shekullit të kaluar, kur Durrësi nisi të zhvillohet si qytet.
Ndërkohë në pjesën tjetër të ekspozitës artdashësit mund të admironin foto të shkrepura së fundmi nga Gëzim Domi. Lagjet e qytetit, muret antike, shëtitorja bregdetare, perëndimi i diellit në det, qyteti i përkëdhelur nga rrezet e diellit apo i larë nga dritat shumëngjyrëshe pasqyroheshin në shumë nga fotot e Domit.
Në ekspozitë nuk kishin si të mungonin edhe fotot nga dimri i dy viteve më parë, kur qyteti u vesh nga petku i bardhë i dëborës, një fenomen ky mjaft i pazakontë për qytetin tonë bregdetar e që nuk i ka shpëtuar fotografit të apasionuar. Ndërkohë në një poster të madh Domi kishte realizuar një mozaik fotosh me disa nga vendet më mbresëlënëse të Durrësit tonë 2500 vjeçar.
Ekspozita e Domit do të pasohet nga ekspozita “Mozaik etnokulturor” që do të hapet ditën e mërkurë në galerinë e arteve “Nikolet Vasia”.