Personazhet e Marcello-s në “La Boheme”, Severus tek “Cleopatra”, Escamillo tek “Carmen” apo Ping tek “Turandot” janë disa nga rolet e interpretuara ose që presin të interpretohen gjatë këtij viti nga Myshketa. Teatrot e operës në Romë, Zyrih, Salsburg, Trieste, Berlin apo Marsejë janë disa nga stacionet ku është ndalur rrugëtimi artistik i baritonit durrsak.
Ai u lind në një familje me lidhje te forta me muzikën, po ndoshta në fëmijëri nuk e kishte menduar asnjëherë se muzika ose më saktë të kënduarit do të bëhej pjesë e pandarë e jetës së tij. Ndërsa këndonte gjithë ditën në shtëpi, madje nuk mungonin edhe “koncertet” mbi tavolinë, prapë se prapë ai nuk mendonte për skenën.
“Por rastësia e solli që në klasë të pestë, kur ndiqja shkollën “Nënë Tereza”, mësuese Ana më mori dhe më çoi në Shtëpinë e Pionierit për të marrë pjesë në konkursin “Zërat e rinj”, ku këndova të famshmen “Santa Luçia”. Aty u nderova me çmim të parë, por në atë kohë nuk ëndërroja të bëhesha këngëtar”.
Kështu e nis rrëfimin e tij për “Dyrrah”, Gëzim Myshketa, baritoni durrsak, që megjithëse në moshë të re ka arritur të sigurojë një sukses ndërkombëtar të admirueshëm. Me energjinë e një të riu 30-vjeçar, me pamjen e një mashkulli mesdhetar dhe kulturën europiane që reflekton gjatë bisedës Gëzim Myshketa është një njeri me të cilin ndihesh mirë që në minutat e para të komunikimit.
Ndërsa unë kërkoj të mbledh sa më shumë informacion për karrierën e tij, suksesin e arritur, vështirësitë që ka hasur, miqësitë dhe bashkëpunimet me emra të njohur të muzikës lirike shqiptare dhe të huaj, Gëzimi kërkon të thotë mendimin e tij edhe për jetën kulturore në Durrës, për mundësitë që u ofrohen talenteve të reja për të çarë në rrugën e artit si dhe vëmendjen që duhet t’i kushtojnë strukturat vendore aktiviteteve artistike dhe pse jo të shprehin mirënjohje për figurat e dala nga ky qytet dhe që po korrin sukses në skenat europiane.
Megjithëse i ndjek nga larg këto gjëra ai nuk ngurron të jetë kritik për shumë aspekte që sipas tij çalojnë në këtë drejtim. I ndodhur prej disa ditësh në Durrës për të kaluar disa ditë pushime pranë familjes në 1 shtator udhëtoi drejt Opernhause Zurich, në Zvicër, ku do të interpretojë në shfaqjen e rradhës.
Suksesi ndërkombëtar
Gëzimi rrëfen se të qenurit anëtar i një familjeje të lidhur ngushtë me muzikën i ka rezervuar ndoshta privilegjin që të edukohej që i vogël me këtë kulturë. Ai kujton xhaxhain e tij Skënder Myshketa, pianistin e njohur durrsak që i mësonte këngët e vjetra italiane, që në moshë të njomë.
Ndërsa përmend Vullnet Sabahun si mësuesin që i mësonte solfexhin në QKF Durrës Gëzimi thotë se vetëm në moshën e adoleshencës u bind që t’i përkushtohej muzikës. E ëma duket se ka qenë mbështetja e tij e madhe në atë kohë megjithëse nuk kishte lidhje të drejtpërdrejt me muzikën, ndërsa i ati, Refik Myshketa, muzikant i vjetër, në fillim nuk e inkurajoi shumë interesin e të birit për muzikën klasike, pasi kërkon që Gezimi të ishte i lirë të zgjidhte vetë drejtimin që do merrte në jetë.
Vetëm kur fitoi në të njëjtën kohë të drejtën për të studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe Konservatorin e Parmës, në Itali, babai i tij u bind se i biri e kishte zgjedhur rrugën që do të ndiqte në jetë. Dhe vërtet Gëzimi ndihej mirë me zgjedhjen e bërë dhe u impenjua të arrinte rezultatet maksimale.
Ndërsa e pyes se a e mendonte kohë më përpara suksesin e arritur tani Gëzimi shprehet se ishte ende i ri për të ëndërruar një karrierë të suksesshme ndërkombëtare, por ama në të njëjtën kohë rrëfen se ka punuar shumë për këtë ditë. Pasi përfundoi me rezultatet maksimale Konservatorin e Parmës rrugëtimi i tij do të ndalej në shumë skena europiane, ku do të interpretonte disa nga operat më të famshme botërore.
Kanë thënë për Gëzim Myshketën
“La Republica” – Gëzim Myshketa, një Marcello i mrekullueshëm dhe i fortë
“Operaclick” – Për Marcello-n e Gëzim Myshketës duhet një përcaktues i fortë, i shkëlqyer është ai i sakti
“Il Gazzettino” – I shkëlqyer Marcello i Gëzim Myshketës
“Il Quotidiano” – Mes këngëtarëve vlen të duartrokitet më së pari siguria dhe bukuria timbrike e Gëzim Myshketës në rolin e Marcello-s
Personazhet e Marcello-s në “La Boheme”, Severus tek “Cleopatra”, Escamillo tek “Carmen” apo Ping tek “Turandot” janë disa nga rolet e interpretuara ose që presin të interpretohen gjatë këtij viti nga Myshketa. Teatrot e operës në Romë, Zyrih, Salsburg, Trieste, Berlin apo Marsejë janë disa nga stacionet ku është ndalur rrugëtimi artistik i baritonit durrsak.
Axhenda e tij është e mbushur me angazhime deri në vitin 2017, me rolin e Lord Enrikos ne Lucia e Lamermoorit, duke treguar në këtë mënyrë vlerësimin ndërkombëtar që artisti i ri ka ditur të akumulojë pas një pune plot përkushtim dhe angazhimi maksimal për të dhënë më të mirën sa herë ndodhet në skenë para publikut.
Projekti për 100-vjetorin e pavarësisë
Festa e 100-vjetorit të pavarësisë po afron dhe mes larmisë së aktiviteteve artistiko-kulturore që janë zhvilluar e presin të zhvillohen është dhe një projekt që pritet të mbledhë në një skenë tre nga emrat e rinj, por në të njëjtën kohë me një karrierë mjaft të shkëlqyer në operat ndërkombëtare. Soprano Ermonela Jaho, tenori Saimir Pirgu dhe baritoni Gëzim Myshketa pritet të këndojnë së bashku në Bruksel me rastin e kësaj date të shënuar për historinë e vendit tonë.
Tre këngëtarët lirikë janë në pritje të përcaktimit të datës së koncertit që do të mbledhë në një skenë tre të rinjtë e talentuar shqiptarë, të cilët me interpretimin mjaft virtuoz kanë befasuar kritikët dhe kanë korrur duartrokitjet e publikut në skenat më të njohura europiane.
Leksione jete
Gjatë karrierës së tij artistike Gëzimi është njohur me shumë këngëtarë lirikë, muzikantë dhe instrumentistë të njohur dhe me një eksperiencë të gjatë në skenat botërore. Ndërsa e pyes sesi është ndjerë në mesin e tyre ai nuk ngurron të më tregojë një histori të shkurtër që për të është kthyer në një leksion jete mjaft të rëndësishëm.
“Më ka bërë përshtypje njerëzit që janë të mëdhenj në shpirt. Sa më të mëdhenj të jenë si artistë aq më të thjeshtë janë si njerëz. Po të tregoj një histori që më ka bërë të mendoj për netë e netë të tjera dhe që ka ndikuar mjaft në filozofinë time të jetës dhe të të sjellurit kundrejt të tjerëve. Kur isha pjesë e operës “Carmen” në festivalin e Salsburgut drejtori i orkestrës ishte mjeshtri i madh Vladimir Fedoseev, një muzikant nga Rusia me një curriculum të frikshëm. Unë isha në një restorant me një mikun tim këngëtar, kur Fedoseev, pasi u ngrit të ikte erdhi na takoi duke na komplimentuar dhe duke na thënë që ndihej shumë mirë që po punonte me ne. Mbetëm të shtangur pasi ishin artistë të rinj dhe na u duk e habitshme. Menjëherë nisa të mendoj po unë vetë kush jam, që ndonjëherë nuk i flas ndonjë kolegu apo bëj ato kapriçot e mia të vogla, ndërkohë që ky njeri kaq i madh vjen e na takon dhe na shpreh kënaqësinë e tij për bashkëpunimin tonë”,- rrëfen Myshketa.
Ky rast vijon baritoni durrsak më mësoi se thjeshtësia dhe dashamirësia që tregon ndaj të tjerëve është shenjë e një shpirti të pasur dhe një dashamirësie kundrejt njerëzve.
MYSHKETA
Autoritetet shqiptare indiferente ndaj kulturës
Megjithëse prej shumë vitesh e ka ndërtuar karrierën e tij jashtë vendit Gëzim Myshketa vazhdon të mbajë lidhje të forta me qytetin e tij të lindjes, ku kthehet shpesh për të takuar prindërit, familjarët dhe shoqërinë. E në këto ndalesa disa ditore ai konstaton me keqardhje mungesën e gjallërisë së jetës kulturore në Durrës. Politikanët dhe autoritetet shqiptare të secilit krah, të fokusuar në problemet ekonomike dhe sociale të vendit ndonjëherë nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur kulturës në përgjithësi pasi e konsiderojnë me sipërfaqësi mendimi të një rëndësie të dytë! Nëse do të tregohej vullnet më i mirë në këtë drejtim unë mendoj dhe në këtë pikë besoj se ndaj me shumë artistë të tjerë të njëjtin mendim, ne do të ishim të gatshëm të vinim të kontribuonim për pasurimin e jetës kulturore në Durrës, por edhe në Shqipëri. Është e çuditshme që kam marrë ftesë nga Instituti Italian i Kulturës për një koncert në Hadrianopolis më 15 Shtator, nga T.O.B. Tiranë madje edhe nga Prishtina Zyrtare po jo nga qyteti im i zemrës!”,- thotë Myshketa. Sipas tij është i nevojshëm një vizion më koherent dhe më i kujdesshëm ndaj evidentimit të të gjithë talenteve të reja, sidomos atyre që bëjnë emër jashtë vendit dhe në të njëjtën kohë duhet t’u krijohet mundësia atyre që të vijnë dhe tëperformojnë edhe para publikut durrsak. Ai shprehet i gatshëm të vijë të mbajë një recital në Durrës, nëse strukturat përgjegjëse do të tregojnë vullnet të mirë në këtë drejtim. Një tjetër pakënaqësi që shpreh Myshketa shkon për propozimet qe nderojnë me tituj të ndryshëm mirënjohjeje figura me kontribute në fusha të caktuara. Sipas tij duhen vendosur kritere më të forta për akordimin e këtyre çmimeve, duhet të bëhet një ballafaqim më i mirë mes kurrikulumeve dhe të merret për bazë aktiviteti i tyre artistik i djeshëm dhe i sotëm.