Nga Gladiola JORGOLLARI
Sot, Gabriel García Marquez, personaliteti i rëndësishëm i letrave latine dhe botërore mbush plot 87 vjeç. Një jetë e tërë e ndërlidhur me letërsinë, gazetarinë, politikën, botimet, çmimet (edhe pse nuk e kanë entuziazmuar shumë), listat e zeza, suksesin dhe vetminë. Ai është pa diskutim hispaniku më i shfletuar dhe më i mirënjohur; profili i shkrimtarit të mirëfilltë që pasohet nga mijëra adhurues në të gjithë botën.
Emri i Gabriel García Marquez asociohet gjithnjë me realizmin magjik, dhe sidomos romanin e tij më të famshëm, “Njëqind vjet vetmi”.
Márquez ka lindur në Aracataka, në Kolumbi, "e diel, 6 mars 1927 në orën nëntë të mëngjesit …" siç shkruan vetë, në kujtimet e tij.
Gjyshen e tij, Tranquilina Iguarán Cotes, të cilën e quante gjyshe Mina, e përshkruan si "një grua me imagjinatë mahnitëse dhe të dhënë pas bestytnive”. Ajo e kishte veshur shtëpinë, me tregimet e saj mbi fantazmat, parandjenjat, oguret dhe shenjat. Gjyshe Mina është cilësuar nga shkrimtari si ndikimi i parë i madh letrar, si frymëzimi i tij. Mënyra e saj origjinale për të trajtuar të jashtëzakonshmen, si të ishte një e vërtetë e pakundërshtueshme ka shenjuar romanet e autorit nobelist.
Gjithashtu dhe tema e vetmisë përshkon shumë nga veprat e Garcia Marquez. Mund të evidentojmë se romani “Dashuri në kohën e kolerës” shqyrton vetminë e personit dhe të qenies njerëzore … ,si një portret që përjeton vetminë e dashurisë duke qenë i dashuruar.
Në veprat e Garcia Marquez hasim”obsesionin për të përimtësuar tiparet e identitetit kulturor latinoamerikan dhe atij karaibian”. Po kështu, ai përpiqet të analizojë normat shoqërore të përcaktuara në këtë pjesë të botës, dhe jo rrallëherë ndonjë nga personazhet mund të identifikohet si instrument, përmes të cilit kritikohen konvencionet dhe paragjykimet e shoqërisë.Në disa nga veprat e tij gjejmë ekskluzivisht realitetin kolumbian. Ai e konsideron atë një letërsi të paramenduar dhe nuk manifeston asnjë shenjë pendimi për vizionin e shpalosur aty.
Një tjetër temë e rëndësishme e Marquez-it është fshati imagjinar Makondo. Ai i referohet qytetit të tij Arakatakës, si një simbolikë kulturore, historike dhe gjeografike. Për të, Makondo është një vend, një gjendje shpirtërore, e cila i lejon lexuesit të shohë atë që do, dhe ashtu siç do".
Marquez shquhet për mënjanimin e detajeve dhe ngjarjeve në dukje të rëndësishme, në mënyrë të tillë që lexuesi, të jetë i detyruar të përvetësojë një rol më aktiv, në rrjedhën e ngjarjeve. Për shembull, te “Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë”, personazhet kryesore nuk përmenden me emra. Kjo praktikë është imituar nga tragjeditë greke, “Antigona” dhe “Edipi mbret”, në të cilat, momentet e rëndësishme janë lënë të zhvillohen në imagjinatën e lexuesit.
Garcia Marquez krijon një mënyrë të jetuari kaq të ngjashme, por në të njëjtën kohë, krejtësisht të dallueshme me këtë botë. Teknikisht, ai është realist në pasqyrimin e së vërtetës dhe joreales, duke arritur pothuajse në zbehjen e plotë të kufijve mes tyre. Madje ai shprehet se “Në romanet e mia nuk ka asnjë linjë që të mos jetë e mbështetur në realitet”.
Teksa lexojmë dhe rilexojmë me ëndje artikulimet e tij, bindemi se Marquez ka nënshkruar një kontratë me pavdekësinë.
A priori! Marquez mbetet Marquez dhe vepra e tij një testament universal.
“Gjatë rrjedhës së viteve të dy mbërritën, duke përshkuar rrugë të ndryshme, në përfundimin e mençur se nuk ishte e mundur të jetonin ndryshe, as të duheshin ndryshe; asgjë në këtë botë nuk qenka më e vështirë se dashuria”.
“Asnjë akt lirie nuk është më i mrekullueshëm, se sa të shpikësh botën, i ulur përpara një makine shkrimi”.
“E nesërmja vjen gjithmonë, dhe jeta na jep edhe një mundësi tjetër për të bërë gjërat e duhura, por në qoftë se unë gabohem dhe e sotmja është gjithçka që kemi, do të më pëlqente të të thoja se të dua, se kurrë s’do të të harroj”.
Kjo s’është, veçse një grimcë nga magjia e tij.





